Mediat italiane kanë zbardhur detaje nga ngjarja e rëndë që ndodhi mëngjesin e sotëm në Genova ky motra shqiptare janë hedhur nga kati i katërt i një pallati. Njëra prej tyre, 32-vjeçarja Axhere Gjoni humbi jetën menjëherë. Tjetra, 2 vjet më e madhe është në gjendje të rëndë në spital. Gratë ranë në një oborr brenda ndërtesës.
“Corriere della Sera” shkruan se nga dëshmitë e mbledhura nga hetuesit sugjerojnë hipotezën e një hedhjeje vullnetare nga të dyja motrat. Axherja u hodh e para dhe pas pak sekondash u hodh edhe motra e saj. Në shtëpi ndodheshin 4 fëmijë që hapën derën për policinë që shkoi në vendin e ngjarjes pas alarmit të vënë nga fqinjët.
Axherja, me origjinë nga Dibra, nëna e të 4 fëmijëve ishte në proces divorci me bashkëshortin e saj. Në 10 janar ishte parashikuar mbajtja e një seance dëgjimore për kujdestarinë e fëmijëve. Ajo po ndahej nga bashkëshorti i saj, të cilin e kishte denoncuar në të kaluarën për abuzim.
Sipas hetuesve, megjithatë, burri nuk ishte pranë shtëpisë në momentin e ngjarjes. Tragjedisë i parapriu një mesazh. Të hënën ajo ka postuar mesazhin e saj të fundit, thuajse një parandjenjë, teksa shkruan: “Zoti po më pret”. Dritarja nga e cila ranë dy motrat shqiptare është e vogël. Kjo i bëri hetuesit të mendojnë menjëherë se nuk mund të ishte një ngjarje aksidentale.
Edhe nga dëshmitë e fqinjëve u konfirmua se të dyja motrat deshën t’i jepnin fund jetës. Dera e banesës ishte e mbyllur nga brenda. Burrit i është ndaluar t’i afrohet shtëpisë. E plagosura ndodhet e shtruar në spitalin San Martino dhe gjendja e saj është shumë e rëndë.