Javën e shkuar ishte Ylli Manjani, ish-ministri i Drejtësisë që reagoi për gjyqin ndaj të arrestuarve nga Lazarati, të cilët u dënuan për vrasjen e policit të RENEA-s, Ibrahim Basha. Manjani, duke u nisur nga ajo që i kishte rrëfyer nëna e një prej të arrestuarve, deklaronte se procesi gjyqësor kishte parregullsi. Ishte disi e çuditshme se përse Manjani nuk kishte folur për këtë çështje gjatë kohës kur ai ishte Ministër Drejtësie dhe mbase atëhere fjala e tij do të kishte më shumë peshë sesa sot që s’ka asnjë funksion publik.
Ndoshta po të fliste atëhere parregullsitë e pretenduara në procesin gjyqësor do të frenoheshin. Zor të mendosh që Manjani s’kishte informacion për gjyqin, pasi ishte Ministër Drejtësie. Por akoma më i çuditshëm ishte reagimi sot i deputetit të Gjirokastrës, Vangjel Tavo. Shkrimi është botuar në gazetën pranë LSI-së, Koha Jonë. Njësoj si Manjani edhe Tavo flet për proces gjyqësor jo të drejtë.
Nëse ka qenë kështu siç thonë familjarët e të dënuarve, siç thotë Manjani e Tavo, patjetër që duhet të rishikohet vendimi dhe askush të mos dënohet pa prova. Por pyetja është kjo: Përse kujtohet tani Vangjel Tavo të flasë për këtë çështje? Ngjarja ka ndodhur tre vjet më parë, ndërsa vendimi i gjykatës për dënimin e të rinjve nga Lazarati është dhënë në shkurt të këtij viti.
Në të dyja rastet deputeti i Gjirokastrës ka heshtur. Të kujtohesh si kofini pas të vjelit, përveçse është hipokrizi e madhe, ka vetëm dy shpjegime. Ose Tavos i duhet ta përdorë politikisht këtë ngjarje në prag të zgjedhjeve lokale ose është një formë për të ushtruar presion ndaj Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda. Më poshtë reagimi i sotëm për gazetën ‘Koha Jonë’
“I kam bërë thirrje të vazhdueshme organeve të drejtësisë,” shprehet Tavo, “Gjykata e Apelit duhet ta shikojë në mënyrë të drejtë këtë rast. Humbja e jetës së Ibrahim Bashës ishte tragjike, dhe po aq tragjike është edhe burgosja e të rinjve pa asnjë provë, e të marrë në konsideratë inskenimet dhe prapavijat e mundshme. Vetëm në këtë vend ndodh që drejtësia mund të vrasë edhe më shumë sesa një snajper. Mungesa e drejtësisë për këtë rast përbën vrasje të dyfishtë ndaj efektivit Basha, familjes së tij, adoleshentëve të burgosur pa prova dhe familjes së tyre.”
Tavo shton me indinjatë se “drejtësia është kriteri minimal i një shteti dhe garancia më bazike e qytetarëve të atij shteti, ndaj pa dashur të bëj avokatin e djallit, apo edhe gjyqtarin, dua ti bëj apel organeve të drejtësisë ta zbardhin ashtu sic duhet këtë ngjarje të rëndë duke nxjerrur në dritë drejtësinë.”