Ndoshta sot më shumë se kurrë një thënie emblematike e Elvana Gjatës, për bestytninë për të mos i përmendur gjërat që do në publik, nga frika se prishen, ka fituar të gjithë domethënien e saj. Të enjten e 4 tetorit në mbrëmje, këngëtarja u përfshi në një sherr me armë mes të dashurit të saj Ervin Mata dhe një grupi rival.
Masakra që përfundoi me një të vdekur, qe mënyra më e keqe e mundshme për ta bërë publik emrin e “të fejuarit” të saj, që diva 31- vjeçare e ruante me fanatizëm.
Të gjithë fansat e saj e kanë të ngulitur në memorie shkurtin e këtij viti, kur ajo foli për herë të parë për dashurinë e saj, në emisionin e Ermal Mamaqit.
Dialogu tashmë është marrë dhe rimarrë në të gjitha portalet dhe faqet e kronikës rozë.
Ermali: Po mirë mi goc, po si mi goc, vajte 62 vjeç edhe ngele gjithë jetën beqare. Fle me mamin akoma. Beqare je mi, beqare? Ngele beqare?
Elvana: Më vinë në mendje tingujt e këngës, me sa duket gjërat kanë ndryshuar
Ermali: Po hë mi shyqyr mi të keqen, se po bëheshim merak mi.
Elvana: Pse po bëheshe merak ti mo?
Ermali: Sepse kur të ikën mosha Elvanë, është gjithmonë e më e vështirë…
Dhe pas kësaj, vijonte fraza e famshme për gjerat që ke frikë ti pranosh, pasi trembesh se të prishen, dhe pohimi i fortë i Elvanës “Zoti është treguar shumë i mirë me mua…”
Me siguri, këngëtarja që ishte ndarë nga Flori Mumajesi në 2016, duke e këmbyer në muzikë me Pirro Çakon dhe në zemrën e saj me Ervin Matën, kishte të gjitha të drejtat e botës të besonte se perënditë po kujdeseshin për të.
Lidhja e re e dashurisë i kishte hapur të gjitha portat.
Ajo shpalli largimin drejt Amerikës për të nisur një karrierë ndërkombëtare, herë pas here postonte në rrjetet sociale foto me këngëtarë të famshëm të botës dhe habiste fansat e saj me postime nga jeta e saj luksoze.
Mediat raportonin herë pas here: “Në hotelin ‘’Shangri-La Hotel’’ të Parisit, Elvana ashtu si Beyonce ka rezervuar suitën në katin më te lartë të tij, pamja e së cilës e bën gati të prekshe kullën Eiffel.
Në hotelin në fjalë çmimi për një natë kap shifrën e 19,000 dollarëve, që nënkupton se është destinacioni i preferuar i pasanikëve nga e gjithë bota”.
Edhe kur u rikthye në Tiranë, pompa e paraqitjeve të saj, qe në lartësinë e pasurisë së njeriut të saj të zemrës, Ervinit.
Ai i kishte hapur biznesin e fustaneve “Altar” dhe që i bënte dhuratë fundjava dashurie, që nuk kushtonin më pak se 30 mijë euro.
Sikur mos mjaftonin postimet në Instagram për unazën e fejesës me diamante dhe pritshmëria me albumin e rrallë që do nxirrte në treg pas endjeve nëpër botë, Elvana organizoi një festë madhështore-koncert për 31- vjetorin e saj, ku ishte grumbulluar pa përjashtim e gjithë bota e shou bizz-it shqiptar.
Bosë të mediave, futbollistë, aktorë, këngëtarë, gazetarë, politikane dhe bashkëshortë të tyre.
Duke kaluar tashmë të 30-at, Elvana Gjata nuk qe më ajo vajza e ndrojtur, që ishte çapitur një ditë rastësisht drejt NRG Radio, ku kishte njohur Flor Mumajesin, ku kishte siguruar disa dalie publike në “Zonë e Lirë” të Arian Çanit, që e bënë po aq të njohur në public, sa edhe aftësitë e saj vokale.
Ajo tashmë qe një divë e vërtetë.
Tirana artistike, dhe jo vetëm, ishte nën këmbët e saj.
Zoti i kishte falur një zë të bekuar dhe një pamje për ta pasur zili, ndërsa i dashuri i saj milionat e nevojshme për ta maksimalizuar suksesin që i siguronin ato.
Prandaj vetëm 7 muaj më pare, ajo deklaronte tek Ermal Mamaqi: “Zoti është treguar shumë i mirë me mua…”
Dhe thënë këtë, ajo nuk guxonte ta përmendte emrin e atij prej nga buronte e gjithë kjo mirësi.
Ndoshta një bestytni e brendshme nuk e lejoi asnjëherë ta bënte publik prej më shumë se dy vjetësh emrin e të fejuarit të saj, Ervin Matës.
Ndoshta besonte vërtet ashtu siç pat deklaraur, se “po e përmende, prishet gjithçka”.
Dhe fati e deshi që emri i të dyve së bashku të përmendej për herë të parë në sfondin e një masakre me vrasje dhe plagosje.
Ajo tani thërritet si dëshmitare në Prokurori, ndërsa Ervin Mata është shpallur në kërkim nga policia
Ndoshta sepse profecia e Elvanës mund të ketë qenë e vërtetë.
Ndoshta sepse pas gjithë kësaj kohe të lumtur, Zoti ka ndryshuar mendje.
Ose për një arsye disi më të thjeshtë, sepse jeta nuk të jep asnjëherë asgjë me tepri, sepse për çdo kompromis, paguhet një çmim.(Lapsi.al)