Gjithnjë në Komitetin Ekzekutiv të FSHF-së kemi parë meshkuj, por pas 7 shkurtit, kur do të bëhen zgjedhjet në institucionin e futbollit, për herë të parë mund të kemi edhe një femër. Aldona Sylaj, një juriste me profesion, nuk është e panjohur për botën e futbollit tonë. Prej gjashtë vitesh vitesh, ajo është anëtare e Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve pranë Federatës Shqiptare të Futbollit.
Një eksperiencë që duket se e ka joshur për të qenë edhe më pranë futbollit, ndonëse aktualisht mban dhe një pozicion të rëndësishëm në kuadrin e reformës në drejtësi, atë të zëvendës komisionerit publik të Institucioneve të Vetingut. Së fundi, falë një propozimi të një klubi, Sylaj ka hedhur kandidaturën për të qenë anëtare e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së.
“Mendoj se ka ardhur koha që dhe femrat të kenë zërin e tyre në ‘qeverinë’ e futbollit shqiptar dhe jo thjesht e vetëm nga ajo që thuhet rëndom se ‘femra fashit dhunën’. Shumë më tepër: kjo lojë e magjishme po tërheq gjithnjë e më shumë femrat dhe ne kemi dhënë shenja premtuese se mund të bëjmë mirë edhe në këtë sport” – u shpreh Sylaj.