Një i ri shqiptar po triumfon me talentin e tij në “The Voice”, Francë. Bëhet fjalë për Gjon Muharremaj, i lindur dhe rritur në Zvicër. Performanca tij me këngën “Sos D’un Terrien En Detresse” e ka mahnitur në mënyrë të atillë jurinë, sa në fund të gjithë u ngritën dhe e duartrokitën në këmbë.
Muharremaj e zgjodhi këtë këngë pikërisht për shkak të gjyshit, i cili ishte emocionuar shumë nga hera e parë kur Gjoni, asokohe fëmijë, kishte nisur ta interpretonte. Gjoni është momentalisht në mesin e 12 konkurrentëve në nivelin e avancuar në “The Voice” dhe përpara tij shtrihet një garë tejet e ashpër.
Por kush është Gjon Muharremaj? Gjoni është djali i një babai nga Kosova dhe nëne nga Tirana. Ai njihet ndryshe me emrin e artit, Gjon’s Teras. Kur ishte vetëm 12 vjeç, Gjoni elektrizoi jurinë e “Albanian’s Got Talent”. Së fundmi ai ka prezantuar dhe një këngë të tij, të titulluar “Babai”. Djaloshi i talentuar mesa duket i ka vënë vetes qëllim që zëri t’i dëgjohet në Shqipëri, por edhe jashtë saj.