Përplasja mes Wanda Nara-s dhe Mauro Icardi-t po hyn në një fazë edhe më të tensionuar, duke u shoqëruar me deklarata të forta nga të dyja palët.
Ditët e fundit, showgirl-i argjentinas kishte lënë të nënkuptohej se mund të kishte ende hapësirë për një afrimitet me ish-bashkëshortin. Ajo publikoi foto të vjetra nga viti 2016 dhe u shpreh publikisht se “do të jemi gjithmonë një familje”. Në një dalje televizive, Wanda theksoi se komunikimi mes tyre vazhdon herë pas here dhe se, sipas saj, me kalimin e kohës situata mund të qetësohet, ashtu siç ka ndodhur edhe më parë.
Por kjo deklaratë u hodh poshtë menjëherë nga Mauro Icardi. Sulmuesi i Galatasaray-t reagoi ashpër në rrjetet sociale, duke mohuar çdo mundësi ribashkimi apo afrimiteti dhe duke i quajtur fjalët e Wandas të pavërteta. “Është e pabesueshme që ende i jepet besim një personi që gënjen vazhdimisht”, shkroi ai, duke e etiketuar ish-bashkëshorten si “mitomane”.
Në një reagim të gjatë dhe emocional, Icardi foli për akuza të rreme për dhunë, për përjashtime nga pronat e tij dhe për faktin se, sipas tij, ishte penguar të shihte vajzat për muaj të tërë. Ai pretendoi se ndaj tij ishin ngritur kërkesa gjyqësore me qëllim që të izolohej nga fëmijët, duke akuzuar Wanda-n për shkelje të vendimeve të drejtësisë, manipulim psikologjik dhe dëme të rënda financiare, që sipas tij arrijnë në rreth 7 milionë euro.
Në përfundim, futbollisti ishte i prerë: për të, Wanda mbetet vetëm nëna e vajzave të tij dhe, siç u shpreh, “nuk do të jetë kurrë më pjesë e familjes sime”.









