Policia e Vlorës ka ndaluar një shtetas kosovar për mashtrim, pasi ky i fundit ka bërë një denoncim të rremë duke pretenduar se i kanë vjedhur makinën luksoze me vlerë 180 mijë euro gjatë kohës që ndodhej me pushime në qytetin bregdetar.
Sipas njoftimit të policisë behet me dije se, e gjithë kjo situatë ka qenë një plan i mirëmenduar i 29-vjeçarit për të përfituar një shumë marramendëse pas shitjes së mjetit tip “Mercedes Benz S Class 63 AMG”, prodhim i vitit 2019, i sapo ardhur nga Gjermania.
Pas zbardhjes së ngjarjes, mësohet se policia ka shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë italianin M.C dhe një tjetër kosovar, F.H. për veprat penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim dhe “Kallëzimi i rremë”.
Njoftimi i policisë:
Inskenojnë vjedhjen e një automjeti të shtrenjtë me qëllim shitjen e tij, Policia vë në pranga një shtetas dhe shpall në kërkim dy të tjerë.
Në vijim të ngjarjes ku më datë 31.10.2019, shtetasi G.H, i cili ndodhej prej disa ditësh me pushime në Vlorë, kallëzoi se i kishin vjedhur automjetin tip “Mercedes Benz S Class 63 AMG”, menjëherë filluan hetimet për zbardhjen e ngjarjes.
Nga hetimet e kryera, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve bënë zbardhjen e plotë të ngjarjes, ku ka rezultuar se shtetasi G.H ka bërë kallëzim të rremë para organeve të policisë për arsye se në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë kanë dashur ta shesin automjetin në fjalë për qëllime përfitimi.
“Mercedes Benz S Class 63 AMG” i vitprodhimit 2019, shtetasi G.H., e kishte blerë në Gjermani me këste nga një kompani.
Ky automjet kap vlerën 180 000 €uro (njëqind e tetëdhjetë mijë euro) nëse do të shitej sipas planit të bashkëpunëtorëve të mësipërm.
Në përfundim të veprimeve, u bë ndalimi i shtetasit G.H., 29 vjeç, nga Kosova por me banim në Gjermani, si dhe u shpallën në kërkim dy shtetasit e tjerë, italiani M.C dhe tjetri nga Kosova F.H.
Materialet iu referuan Prokurorisë në ngarkim të tyre për veprat penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim dhe “Kallëzimi i rremë”









