Me ardhjen e tij në krye të pankinës, Partizani u duk sikur rilindi dhe rezultatet erdhën menjëherë. Tekniku i të kuqve, Oltijon Kërnaja, në një intervistë ekskluzive për Sport News në News 24, në bisedën me Trevisa Tufën foli për shumë tema, duke filluar që nga besimi i ka dhënë Presidenti dhe deri te objektivat.
Çfarë është Partizani për ty? Çfarë do të thotë në pikë të karrierës tënde të drejtosh një klub si Partizani?
Partizani mund të quhet kulmi i karrierës. Pas një periudhe në kategori të ulëta, si kategoria e parë ose e dyta, më erdhi një mundësi e artë dhe falë zotit, ja ku jemi.
Më trego pak, çfarë të ka kërkuar presidenti Demi, si e prite momentin kur të konfirmoi përfundimisht se do ishte trajner i parë?
Nuk e kisha menduar që do ishte kaq shpejt. Në fillim të sezonit kur kam ardhur te ekipi B, ndoshta në një ditë tjetër mund te isha pjesë e ekipit A, por jo aq shpejt. Në momentin që m’u propozua, nuk i thoja dot jo, Partizanit nuk i thuhet dot jo. Presidenti më tha ja, trego veten!
Pse është kaq e vështirë të drejtosh Partizanin, ka realisht ka kaq shumë presion?
Është ekip me histori dhe me infrastrukturën më të mirë në Shqipëri. Ka kushtet më të mira, kërkesa është e madhe, ambiciet janë për të qenë gjithmonë on the top, e kjo e bën më të vështirë për ta drejtuar. Gjithmonë kërkohet fitorja, qoftë barazimi nuk përjetohet mirë.
Tre fitore radhazi, 7 ndeshje pa pësuar humbje, çfarë ndryshuat këtë periudhë Kërnaja?
Kemi pas një periudhë të mirë. Këto djem janë dhe kanë qenë, nuk ka ndryshuar asgjë. Thjeshtë qasja dhe mënyra e interpretimit të ndeshjes ka ndryshuar.
Jeni vetëm 3 pikë larg zonës Final4, a është ky objektivi minimal i Partizanit, a të kanë vendosur një objektiv të qartë drejtuesit.
Objektivi është Final Four, pastaj atje flasim për gjëra të tjera. Shpresojmë që të kemi rezultate pozitive në dy ndeshjet e fundit. Edhe nëse nuk do jemi tani, në javët e para të janarit do jemi aty.
Përpara keni rivalëve si Teuta, por mbi të gjitha Vllaznia, Dinamo, Egnatia dhe Elbasani, kujt do t’ia merrini vendin për në Final4? Kë sheh jashtë?
Nuk më intereson kush është e kush do dalë jashtë. Më intereson vetëm nëse Partizani do jetë apo jo në katërshe. Kemi treguar me ekipet e para, vetëm ndaj Dinamos kemi humbur me një gol aksidental, me një autogol që ndodh një herë në 100 vjet. Me të tjerat, mos të themi superiorë, por kemi qenë aty-aty. Nuk kanë asgjë më shumë se ne.
Më thuaj të drejtën, me këtë ekip që ke në dispozicion, duke parë edhe rivalët, sigurisht, a e ka Partizani grupin për të synuar titullin?
Ndoshta nuk kemi ndonjë element që bën diferencën, por i kemi mundësitë për titull. Ndryshe nga të tjerat, kemi numër të lartë lojtarësh. Kemi numër të lartë lojtarësh që janë konkurrues dhe pse jo, të arrijmë te objektivi madhor.
Çfarë të duhet në janar Kërnaja, ku ka nevojë Partizani të ndërhyrje, ku do përqendroheni?
Të them të drejtën, janë një ose dy elementë që do kërkojmë në këtë fazë. Vështirë për t’i gjetur, pasi merkato e janarit është e vakët. Nëse ka ndonjë lojtarë që mund të afrojmë, pse jo. Ne po kërkojmë ëinger anësor.
Këtë javë kalendari iu rezervon Egnatian, kampionët në fuqi, a është ky testi real për të kuptuar forcën e Partizanit?
Jemi ndeshur edhe herën e parë, kemi treguar lojë dinjitoze, edhe pse u mbyll 0-0. Egnatia vlen 3 pikë, siç vlen edhe Dinamo pas disa ditësh.
Çfarë ndeshje pret, firmosni për një barazim?
Nuk firmos për barazim. Nëse do ishte kështu, ata do rrinin në shtëpi, ne në shtëpi dhe do mbaronte 0-0. Pjesën tjetër ia lejmë fushës.
Premtimi ndaj tifozëve…
Nuk është premtim. Thjeshtë në dy ndeshjet e ardhshme, të kemi minimumi 4-6 pikë. Vetëm kështu mund të arrijmë në Final Four.









