Mediat e huaja raportojnë se një ish i dënuar i burgut famëkeq të Guantanamos do të jetë ministri i Mbrojtjes në Afganistan, pasi talebanët morën kontrollin e vendit më 15 gusht. Mullah Abdul Qayyum Zakir u lirua nga kampi që drejtohej nga SHBA në Kubë në vitin 2007, gjatë presidencës së George W Bush. Ai u arrestua nga forcat amerikane gjatë fillimit të misionit në Afganistan në vitin 2001.
Zakir thuhet se u lirua pasi iu tha zyrtarëve amerikanë se nuk ka ndërmend të kthehet në fushëbetejë. Megjithatë, sapo u largua nga burgu, ai drejtoi operacionet në Helmand, përpara se emërohej si komandanti më i lartë i talebanëve. Sipas agjencisë së lajmeve Alarby, Zakir ishte në krye të forcave talebane kur ata hynë në pallatin presidencial në Kabul.









