Një fosil 300 milionë vjeçar, i konsideruar për dekada si oktapodi më i vjetër i njohur, ka rezultuar të jetë një organizëm krejtësisht tjetër detar, duke përmbysur një nga supozimet më të rëndësishme në Paleontologji. Studiues nga University of Reading përdorën teknika moderne të imazherisë për të analizuar strukturën e brendshme të fosilit dhe zbuluan praninë e dhëmbëve të vegjël – një tipar që nuk i përket oktapodëve. Në vend të kësaj, fosili i përket një të afërmi të nautilus-eve.
Fosili, i njohur si Pohlsepia mazonensis, ishte përfshirë madje edhe në librin e rekordeve Guinness si oktapodi më i vjetër i zbuluar ndonjëherë. Megjithatë, studimi i ri tregon se identifikimi fillestar ishte i gabuar. Autori kryesor i kërkimit, Thomas Clements, shpjegoi se keqinterpretimi lidhej me gjendjen e organizmit para fosilizimit. Sipas tij, trupi kishte qëndruar në dekompozim për javë të tëra, duke deformuar indet dhe duke krijuar një pamje që i ngjante një oktapodi me tetë tentakula.
Studimi i parë, i publikuar në vitin 2000, ishte bazuar vetëm në tipare morfologjike të jashtme. Ndërsa kërkimi i ri përdori imazheri sinkrotronike – një teknologji që përdor rreze drite shumë më të fuqishme se dielli për të analizuar brendësinë e shkëmbinjve.
Falë kësaj metode, u zbuluan struktura të padukshme më parë, përfshirë dhëmbë identikë me ato të fosileve nautiloide të gjetura në Mazon Creek. Ky rishikim ka pasoja të rëndësishme për kuptimin e evolucionit të cefalopodëve. Sipas të dhënave të reja, oktapodët u shfaqën shumë më vonë nga sa mendohej, me shumë gjasa gjatë Periudha Jurasike. Po ashtu, shkencëtarët besojnë tani se ndarja midis oktapodëve dhe të afërmve të tyre me dhjetë tentakula ndodhi në epokën mezozoike, dhe jo qindra miliona vite më parë siç mendohej. Ky zbulim thekson rëndësinë e rishqyrtimit të zbulimeve të vjetra me teknologji moderne, duke treguar se edhe teoritë më të konsoliduara shkencore mund të ndryshojnë përballë provave të reja.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb









