Juve “thyen” 2-0 Genoa-n, një trepikësh i artë që afron “Zonjën e Vjetër” me zonën Champions. Me 57 pikë në 31 javë, Juve e sheh veten vetëm 1 pikë larg Como-s, vendit të katërt. Ekipi i Spallettit nuk e vendosi ndeshjen në asnjë moment në dyshim duke gjetur shpejt golin e avantazhit që në minutën e 4-ët, me Bremer që me kokë brenda në zonë gjeti dhe një devijim të lehtë duke dërguar topin në rrjetë. Në minutën e 17-të, me një kundërsulm perfekt McKennie dyfishoi shifrat duke e bërë edhe më të lehtë këtë takim. Mesfushori amerikan ishte protagonisti kryesor në këtë sfidë, me amerikanin që flirtoi në të paktën edhe dy raste të paste për të realizuar golin e tretë.
Historia e këtij takimi mund të ndryshonte në minutën e 75-të kur Genoa fitoi një 11-metërsh. Portieri Di Gregorio bëri pjesën e tij duke ndalur Martin me një super pritje, një detaj që vendosi jo pak mbi fatin e këtij takimi duke bërë që Juve të dilte me pikë të plota pasi rezultati mbeti i pandryshuar. Pavarësisht fitores, Spalletti nuk u shfaq plotësisht i lumtur:
“Nuk është e mundur që të bësh një pjesë të parë të tillë, më pas një pjesë të dytë ku rrezikon të ndëshkohesh nga episodet, kjo e bën ndeshjen të vështirë. Si e përjetova eliminimin e Italisë? Shumë keq. Ju betohet se kur përfundoi ndeshja në Bosnje e imagjinova veten time në vend të Gattuso-s. Mendimi i parë shkoi pikërisht për të, me vjen keq për Gattuso-n”, u shpreh ndër të tjera Spalletti.







