Ndërrimi i trajnerit i ka bërë mirë Luftëtarit, pasi brenda pak ditësh, skuadra e brishtë e Koshtiç është kthyer nën drejtimin e Mezanit në një ekip që dominoi dhe i shënoi me lehtësi 3 gola një ekipi si Teuta i cili ishte lavdëruar për një mbrojtje thuajse të pathyeshme në javët e para.
Gjirokastritët kanë krijuar më shumë lojë e raste, për të kaluar në avantazh me Shkurtajn në pjesën e parë, e për të vendosur diktatin e tyre në pjesën e dytë me Rapon e Milosavljev, ndërsa kundërpërgjigja Teutës erdhi vetëm me një penallti të Latif.
Suksesi i jep frymëmarrje Luftëtarit që notonte në ujëra të turbullta, ndërsa Teuta tashmë konfirmohet në krizë dhe në vështirësi të mëdha, duke treguar se duhet kohë për të kthyer në ekip një grup të madh individësh të afruar gjatë merkatos së verës.