Një ditë përpara 1-vjetorit të vdekjes së Kostandin Kacifas, antiterrori ka “blinduar” qytetin e Gjirokastrës. Agjentët do të jenë të përqendruar në tre pika kryesore, në Kakavijë, Sopik dhe tek Tre urat në Përmet me qëllim ndalimin e hyrjes në Shqipëri të personave të shpallur “non grata” si dhe identifikimi i personave që kanë qenë problematik në varrimin e Kacifas. Burime jo zyrtare bëjnë me dije se shoqatat patriotike greke, duke përdorur “fuqinë e rrjeteve sociale” kanë bërë thirrje për grumbullimin e sa më shumë të rinjve, nga ku mësohet se të paktën rreth 10 autobusë me mbështetës të tyre, por edhe të Kacifas priten të mbërrijnë në Shqipëri.
Madje, disa ditë më parë, nga personat e shpallur ‘non grata’ nga shteti shqiptar, Harallamb Karathanos me origjinë nga Dropulli, i njohur si ekstremist dhe antishqiptar ka bërë thirrje në rrjetet sociale që të mblidhen sa më shumë grekë për ceremoninë e përvjetorit të parë të vrasjes së ekstremistit Kostandinos Kacifas. “Do të jemi të pranishëm për të nderuar Heroin tonë!” shkruan ndër të tjera Karathanos teksa shpërndan edhe emrat e 7 shoqatave minoritare.
RENEA ekzekutoi me armë gjatë shkëmbimit të zjarrit ekstremistin grek Konstantinos Kacifa. Ai hapi zjarr ndaj efektivëve të policisë në breshëri për më shumë se 30 minuta. 35-vjeçari ishte pjesë e batalionit të Forcave Speciale të Forcës Tokësore, ndërsa pas lokalizimit nga policia në Bularat nuk iu bind urdhrit për të hedhur armën, për t’u dorëzuar duke refuzuar, madje duke qëlluar me armë në drejtim të bluve, në këtë moment RENEA e ka ekzekutuar duke e qëlluar në kokë dhe në gjoks.