Në sytë e çdo tifozi, Ernest Muçi është shpresa e madhe e Shqipërisë në sfidën përballë Polonisë, por trajneri Sylvinho nuk zbuloi se çfarë plani ka për të. Muçi vjen në këtë takim në formë të shkëlqyer pasi është kthyer në kryefjalë në Turqi, shifrat e tij të imponojnë respekt, për më tepër është një lojtar që e njeh shumë mirë mentalitetin e ekipit polak pasi më herët ka qenë pjesë e Legia Varshavës. Në një intervistë SuperSport, ish “bomberi” i Tiranës theksoi se është gati në çdo moment dhe se ka ndjesi pozitive për këtë takim:
“Është një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë. Jemi gati për të kaluar këtë raund dhe për të shkuar në ndeshjen finale. Polonia është një ekip i fortë, normal ata luajnë në shtëpinë e tyre, por ne kemi ardhur këtu për të fituar dhe që t’i bëjmë të gjithë krenarë.
Unë gjithmonë jam gati për të dhënë më të mirën për Kombëtaren, pastaj është trajneri ai i cili vendos, por më e rëndësishmja është që ekipi të fitojë dhe të arrijmë këtë rezultat historik, pastaj shpresoj që të bëjmë një ndeshje sa më të mirë dhe të fitojmë. Trajneri kur të më thërrasë unë do të jem gati. Janë ekip shumë fizik, shumë i gjatë. Duhet të jemi shumë vigjilentë sepse topat e tyre do të jenë shumë të fortë dhe agresivë për t’i bërë ballë. Megjithatë ne jemi ekip me shumë kualitet lojtarësh dhe besoj se aty do ta bëjmë diferencën. Unë gjithmonë kur futem në fushë parandjej që do të shënoj. Rëndësi ka që të fitojmë, e thashë edhe njëherë është një ndeshje që të gjithë e presin, të gjithë duam që të fitojmë”, përfundoi sulmuesi kuqezi.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb









