Nga Daniel Tenriero “National Riview”
* Muajin e kaluar, Greta Tunberg, “Mesia” e lëvizjes ambjentaliste, u tha delegatëve në Samitin e Kombeve të Bashkuara për Klimën, se adresimi i ndryshimit të klimës, ishte në kundërshtim me “përrallat e rritjes së përjetshme ekonomike”. Dhe kjo pikëpamje, nuk kufizohet vetëm tek protestuesit adoleshentë.
Në vitin 2017, “The New York Times” botoi një koment me titull “Kriza e klimës? Është kapitalizmi, budalla”. Mendimtarë të shquar si Naomi Klein dhe Xhorxh Monbio, pretendojnë prej vitesh se sipërmarrja e lirë dhe mbrojtja e mjedisit, janë 2 gjëra krejtësisht të papajtueshme me njëra-tjetrën.
Në fakt, propozimet e fundit politike, si është Marrëveshja e Re e Gjelbër, janë shumë kritike ndaj sistemit aktual. Në vend se të frenojnë ndotjen, aktivistët e klimës, kanë shpallur si armik sistemin kapitalist në tërësi. Por ata e kanë gabim, thotë shkencëtari i Universitetit Teknologjik të Masaçusetsit në SHBA, Endrju Mekafi.
Në librin e tij të ri, “Më shumë nga më pak”, ai shpjegon në detaje se si ulja e përdorimit të burimeve, ka përkuar me rritjen ekonomike. Deri afërsisht në vitet 1970, PBB-ja e SHBA-së u rrit baraz me konsumin e energjisë. Rritja e prodhimit, kërkonte më shumë inpute të papërpunuara, duke e dëmtuar kësisoj mjedisin.
Por që nga viti 1970 – dhe rastësisht me nisjen e kremtimit të Ditës së Tokës – rritja ekonomike dhe përdorimi i burimeve, nuk ka më një lidhje direkte. Ndërsa PBB-ja reale është gati 4-fishuar, konsumi i energjisë është rritur shumë më pak. Kjo dukuri, është rezultat i një procesi që Mekafi e quan “de-materalizim”, që nga ana e tij i referohet dy dukurive të përgjithshme.
Së pari, mallrat kërkojnë sot më pak lëndë të parë. Për shembull kanaçet e pijeve kanë rënë në peshë, nga 85 gram në vitin 1996, në vetëm 12.75 gram secila në vitin 2011. Ndërkohë, godinat dhe makinat, po bëhen gjithashtu më të lehta.
Së dyti, dhe më e rëndësishmja, përparimet teknologjike, po e zvogëlojnë nevojën për rritjen e prodhimit të materialeve. Në vitet 1990, veçoritë që ka tani një smartfon do të kërkonin pajisje të shumta (kamera, radio, kasetofon). Tani mjafton një pajisje 200-gramëshe në duar, dhe i ke të gjitha.
Për rrjedhojë, konsumi amerikan i çelikut, bakrit, plehrave, lëndës drusore dhe letrës ka rënë, jo vetëm për frymë, por edhe në terma absolutë. Ndërsa po bëhemi më të pasur, ne po konsumojmë më pak. Në vend se të vijë nga një politikë publike miqësore me mjedisin, de-materializimi është një tipar organik i ekonomisë së tregut.
Për të maksimizuar fitimin e tyre, kompanitë synojnë të zvogëlojnë kostot e tyre, dhe kjo stimulon efikasitetin e burimeve. Risitë që zvogëlojnë emetimin e karbonit në atmosferë, si telefonat inteligjentë dhe kompjuterët, u krijuan nga interesi i vetë sipërmarrësve, dhe jo nga burokratët.
Në mënyrë krahasuese, politikat mjedisore si riciklimi, kanë pasur një efekt të papërfillshëm në emetimet e gazrave serë. De-materializimi, është një dukuri e jashtëzakonshme, që bie në dukje në kundërshtim me teorinë ekonomike. “Dëshirat njerëzore janë të panumërta në numër, dhe shumë të ndryshme në natyrë”, shkroi Alfred Marshall në librin e tij “Parimet e ekonomisë” në vitin 1890.
“Teksa prodhimi rritet, njeriu dëshiron një gamë më të madhe gjërash”. Ndërsa efikasiteti sjell rënien e çmimit të një burimi, ne kërkojmë më shumë prej tij. Ekonomistët e quajnë këtë “elasticitet të kërkesës”. Ndërkohë, kur mallrat dhe shërbimet me burime të mëdha zëvendësohen nga alternativa më efikase, ky raport prishet.
Por kjo nuk do të thotë që vetëm një treg i lirë, do të përshpejtojë ndryshimet klimatike. Qeveritë duhet të stimulojnë dhe përshpejtojnë procesin e de-materializimit. Ai vëren ndërkaq se de-materializimi është i kufizuar në ekonomitë të përparuara, gjë që ndihmon në shpjegimin se pse emetimet globale të karbonit vazhdojnë që të rriten.
Ndotja në Kinë dhe Indi është rritur shumë, pasi ato janë vende të industrializuara. Shumë ekonomistë argumentojnë se kur këto vende në zhvillim të pasurohen mjaftueshëm, do të largohen nga instrusitë që emetojnë shumë karbon. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë që do të pasohet nga rënia e emetimeve globale. Ka të ngjarë që ndotja, e zvogëluar në një pjesë të botës, të vazhdojë të rritet diku tjetër.
Mekafi mer si shembull prodhimin në industrinë e rëndë amerikane. Ndërsa prodhimi amerikan i automobilave dhe makinerive, ka mbetur afërsisht i qëndrueshëm gjatë 2 dekadave të fundit, përdorimi i burimeve nga prodhuesit ka rënë. Dhe kjo do të thotë, që edhe proceset industriale po de-materizohen.
Sidoqoftë, importet e të ashtuquajturave mallra të ndërmjetme, janë rritur në mënyrë të qëndrueshme. Sipas Rezervës Federale të San Françiskos, të paktën 17 përqind e kostos së një makine “Jeep Patriot” të prodhuar në SHBA, vjen nga pjesë këmbimi e prodhuar në vende të tjera.
Në fakt, puna me intensitet të lartë duke përdorur burimet nga jashtë, thjesht po e zhvendos ndotjen diku tjetër, por nuk po e frenon ndryshimin e klimës. De-materializimi do të jetë i pafrytshëm, në rast se përdorimi i zvogëluar i energjisë në vende të caktuara, do të shndërrohet thjesht në një përdorim të shtuar të energjisë në vendet e tjera më të varfëra.
Thënë këtë, nevoja për një prodhim intensiv të burimeve nuk është e pashmangshme. Në fakt, ndërsa bota po dixhitalizohet gjithnjë e më shumë, prodhimi i materialeve mund të ulet në rrafsh global. Me përdoruesit e telefonave celularë që po i tejkalojnë ato që kërkojnë energji elektrike në botën e tretë, shumë ekonomi në zhvillim mund të dixhitalizoheshin përpara se të industrializohen, çka do të thotë që zhvillimi ekonomik nuk do të ishte më sinonim i eksporteve e manifakturës.
De-materializimi, nuk është një ligj mizor i ekonomisë, por rezultat i punës së kujdesshme të studiuesve dhe sipërmarrësve. Ai vetëm sa e nxjerr më në pah tezën themelore të Mekafit. Tregtarët e “apokalipsit” e kanë gabim:Përrallat e rritjes ekonomike, mund ta ndalojë krizën e klimës.