Aktorja Kate Beckinsale ka bërë një deklaratë të fortë në rrjetet sociale, duke pretenduar se është pushuar nga agjentja e saj pas një veprimi të thjeshtë: pëlqimit të një postimi që bënte thirrje për armëpushim në Gaza. Sipas saj, vendimi erdhi papritur dhe pa paralajmërim, duke i dhënë fund një bashkëpunimi 12-vjeçar.
Reagimi i Beckinsale erdhi në komentet e një postimi të aktorit Mark Ruffalo, i cili po promovonte filmin “Palestina 36”. Ajo shprehu zhgënjimin se Ruffalo nuk iu përgjigj përpjekjeve të saj për kontakt, edhe pse sipas saj ata ndanin të njëjtën agjenci. “Duhet të jetë bukur kur agjenti nuk të pushon për një ‘like’ dhe sepse nuk je pro vrasjes së fëmijëve”, shkroi ajo, duke ngritur edhe çështjen e pabarazisë gjinore në industrinë e filmit.
Në reagimet e saj, Beckinsale e krahasoi situatën me atë të Susan Sarandon, e cila më herët ka deklaruar se është penalizuar profesionalisht për qëndrimet e saj publike. Ajo theksoi se pushimi ndodhi menjëherë pas përfundimit të grevës së aktorëve në Hollywood në vitin 2023.
Aktorja shtoi se në të njëjtën periudhë po përballej edhe me një situatë të rëndë familjare, duke u kujdesur për nënën e saj të sëmurë rëndë dhe njerkun, i cili ndërroi jetë pas komplikacioneve shëndetësore. Beckinsale e përshkroi momentin si një ndër më të vështirët në jetën e saj, duke theksuar se vendimi për ta pushuar erdhi në një kohë tepër të ndjeshme.









