Është gati procedura për dokumentacionin dhe masën e përfitimit të ndihmës financiare për të punësuarit aktualë dhe punonjësit e larguar nga puna si pasojë e Covid-19, në bazë të paketës së dytë të ndihmës.
Sipas vendimit të pubikuar në Fletoren Zyrtare, përcaktohet se cilët e përfitojnë dhe si do të bëhet shpërndarja e saj. Ndihma prej 40 mijë lekë mbulon periudhën prill – qershor 2020 dhe përfitohet vetëm një herë si shumë e vetme. Efektet financiare shtesë në masën 7.04 miliardë lekë do të përballohen nga buxheti i shtetit.
Kush përfiton
Dhënie ndihme financiare prej 40 000 (dyzet mijë) lekësh për të punësuarit në subjektet me të ardhura vjetore mbi 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë, që kanë mbyllur aktivitetet sipas urdhrave të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të cilët kanë qenë në punë në datën e hyrjes në fuqi të këtyre urdhrave.
Dhënie ndihme financiare prej 40 000 (dyzet mijë) lekësh për të ish-punësuarit në subjektet që janë lejuar të kryejnë aktivitetet sipas urdhrave të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të cilët janë larguar nga puna nga data e hyrjes në fuqi të këtyre urdhrave deri në datën 10 prill 2020. Dita e dorëzimit të E-sig 027 nuk duhet të jetë më e vonë se data 10 prill 2020.
Dhënie ndihme financiare prej 40 000 (dyzet mijë) lekësh për të punësuarit në subjektet me të ardhura vjetore deri në 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë, që janë lejuar të kryejnë aktivitetet sipas urdhrave të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të cilët kanë qenë në punë deri në datën e hyrjes në fuqi të urdhrave të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Nuk e përfitojnë ndihmën sipas pikës 3, të këtij kreu, punonjësit:
a) të cilët kanë përfituar sipas pikës 2, të këtij kreu.
b) të punësuar në subjektet:
me objekt veprimtarie tregtim të produkteve ushqimore, fruta – perime, farmaceutike;
e regjistruara që ushtrojnë aktivitet në profesione të tilla si: avokat, noter, mjek i specializuar, farmacist, infermier, veteriner, arkitekt, inxhinier, mjek-laborant, projektues, ekonomist, agronom, ekspert kontabël i regjistruar, kontabilist i miratuar dhe vlerësues i pasurisë, që lejohen të kryejnë aktivitetin sipas urdhrave të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Dhënie ndihme financiare prej 40 000 (dyzet mijë) lekësh për punonjësit e subjekteve, persona fizikë ose juridikë, që ushtrojnë aktivitetin si struktura akomoduese, të cilët figurojnë në listëpagesa deri në datën e urdhrave të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Nëse subjekti i përmendur në pikën 5, të këtij kreu, ushtron disa lloje aktivitetesh, e përfitojnë ndihmën financiare vetëm të punësuarit në aktivitetin e strukturës akomoduese.
Kriteret e përfitimit
Ndihma financiare llogaritet dhe jepet për të punësuarit që figurojnë në listëpagesat e përditësuara sipas formularit ESig-027, deri në datën e hyrjes në fuqi të urdhrave të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Aplikimi për të përfituar ndihmë financiare bëhet nga subjekti i të punësuarit.
Punonjësi që është në më tepër se një listëpagesë përfiton si ndihmë financiare vetëm një pagesë.
Punonjësit të cilët përfitojnë sipas vendimit nr.254, datë 27.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit dhe masën e përfitimit të ndihmës financiare për të punësuarit në subjektet e biznesit me të ardhura vjetore deri 14 000 000 lekë, ndihmës ekonomike dhe të pagesës të të ardhurës nga papunësia gjatë periudhës së fatkeqësisë natyrore të shpallur si pasojë e COVID-19”, nuk janë subjekt i këtij vendimi.
Për të përfituar nga ndihma financiare duhet që punonjësi të ketë qenë në marrëdhënie pune deri në datën e hyrjes në fuqi të urdhrave të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Subjektet aplikuese duhet të paraqesin pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nëpërmjet portalit e-filinig, kërkesën me të dhënat e përfituesve, ku përfshihen:
a) të dhënat identifikuese të subjektit tatimpagues të pajisur me NIUS; b) të dhënat identifikuese të përfituesve, përfshirë:
emrin, mbiemrin, numrin e telefonit, adresën e-mail-it;
numrin personal të identifikimit të përfituesit;
iii. bankën ku përfituesi ka llogarinë rrjedhëse bankare;
IBAN-in e llogarisë bankare.
Nuk përfitojnë ndihmë financiare, sipas këtij vendimi,:
a) individët e punësuar, të cilët kanë realizuar për vitin 2019 të ardhura bruto nga paga mbi 2 000 000 (dy milionë) lekë;
b) individët e dypunësuar, ku njëri prej aktiviteteve bën pjesë në kategorinë e aktiviteteve të përmendura në shkronjën “b”, të pikës 4, të kreut I, të këtij vendimi;
c) punonjësit e institucioneve shtetërore si dhe të punësuarit në shoqëritë me kapital shtetëror; ç) organizatat jofitimprurëse.
PROCEDURA E VERIFIKIMIT PËR PËRFITIMIN E NDIHMËS FINANCIARE
1. Administrata tatimore, brenda 10 (dhjetë) ditëve pune nga data e aplikimit, verifikon në sistemin tatimor, identifikon aplikuesit dhe të dhënat në kërkesën e tyre, duke analizuar:
a) tatimpaguesin dhe veprimtarinë e tij, për të verifikuar nëse bën pjesë në listën e veprimtarive
që përfitojnë ndihmën financiare;
b) krahasimisht listën e paraqitur për përfitim ndihme me listëpagesën e dorëzuar në mënyrë elektronike;
c) të ardhurat e realizuara nga subjekti.
2. Me qëllim shmangien e abuzimit, strukturat e administratës tatimore, duke përdorur analizën e riskut, mund të kryejnë edhe verifikime në subjektet aplikuese nëse përmbushen kriteret.
3. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i paraqet Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit listën përmbledhëse të individëve përfitues të ndihmës financiare, me të dhënat e mëposhtme:
a) Emrin, mbiemrin, numrin e telefonit, adresën e-mail-it;
b) Numrin personal të identifikimit të përfituesit;
c) Bankën ku përfituesi ka llogarinë rrjedhëse bankare;
ç) IBAN-in e llogarisë bankare.
4. Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit kryen pagesat për individët përfitues, sipas këtij vendimi.
5. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ruan dhe administron dokumentacionin e përcaktuar sipas këtij vendimi, sipas dispozitave ligjore e nënligjore të parashikuara për ruajtjen e dokumentacionit dhe arkivat.
6. Drejtori i Përgjthshëm i Tatimeve miraton rregullat procedurale për zbatimin e këtij vendimi, bashkëpunimin me institucionet përgjegjëse, procedurat e kalimit në thesar të ndihmës financiare dhe njoftimin e subjekteve. Monitor