Detaje të reja janë mësuar në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi në Greqi, ku një 16-vjeçare shqiptare ka humbur jetën në rrethana të paqarta ende. Sot prindër dhe të afërm të Maria Hysenit kanë shkuar në vendin ku ajo u gjet e vdekur dhe kanë kërkuar përgjigje për shkaqet e vdekjes së saj.
Me lot në sy familjarët kanë shkuar pranë kishes dhe kërkojnë që të zbardhet e vërteta. Ndërkohë mediat greke bëjnë me dije se sot është publikuar dhe raporti mjeko-ligjor, që sipas të cilit rezulton se e reja ka ndërruar jetë si pasojë e rënies nga lartia pranë kishës në Trikala.
Por prindërit këmbëngulin se është e pamundur që vajza të ngjitet në skelat e çatisë e kishës, teksa ndërtesa ndodhet në rikonstruksion. Po ashtu ata pretendojnë se në pjesën e pasme të kishës ka pasur njolla gjaku dhe ato janë larë për të mbuluar gjurmët. Ata janë shprehur se disponojnë prova dhe fotografi që vërtetojnë deklaratat e tyre.
Maria Hyseni, 16-vjeçarja shqiptare ka ndërruar jetë pak ditë më parë në Trikala. Ajo është gjetur pranë një kishe me dëmtime të rënda në fytyrë dhe trup. Mediat vendase kanë raportuar, se e reja është rrëzuar nga një godinë, por familjarët e saj këmbëngulin se vajza e tyre është vrarë pasi thonë se ende nuk janë marrë shenjat e gishtave nëse është ngjitur vet në skelat nga supozohet se është rrëzuar apo me një person tjetër.