Ndërsa koronavirusi është lajmi kryesor ditët e fundit, shumë njerëz ndihen të rrezikuar përballë një sëmundje të panjohur.
Lidhur mbi këtë, mjeku infeksionist Arjan Harxhi jep disa këshilla praktike për t’u mbrojtur nga një kontraktim i mundshëm me virusin e rrezikshëm.
“Shqetësimi është i natyrshëm. Ka akoma pikëpyetje në lidhje me origjinën, pra kush është burimi dhe mënyrën e transmetimit, kjo bën ndonjëherë që dhe mesazhet për mënyrën e transmetimit mund të ngjajnë të vjetërura pas 24 orësh.
Mesazhet e parandalimit, lidhen me ato mesazhe që jepen gjithmonë për parandalimin e sëmundjeve që përhapen përmes ajrit, spërklave dhe kontaktit.
Deri tani ne dimë që ky është një virus që transmetohet nga kontakti i ngushtë dhe spërklat.
Transmetimi klasik që është “airborne”, pra jo me spërkla dhe këto janë dhe më të rrezikshëm. Për shembull; turbekulozi, ebola, fruthi, janë sëmundjet më të rrezikshme të cilat transmetohen përmes ajrit.
Kategoria e dytë është ajo që transmetohet përmes spërklave kur tështijmë, kollitemi, që nëse bien mbi mukozën e personit tjetër, rrezikojnë infektimin.
Dhe rruga e tretë, është kontakti. Pra nëse këto sekrecione ndotin sendet. Prandaj është shumë e rëndësishme që njerëzit të lajnë shpesh duart, pasi gjatë 24 orëve ne prekim qindra herë gojën dhe hundën në mënyrë të pavetëdijshme.
Ne flasim për koronavirusin, por ndërkohë kemi gripin. Kjo tërheq vëmendjen për shkak se është diçka e re, por dëmet që ndodhin nga sëmundjet e tjera si gripi sezonal, janë shumë të mëdhaja. Aktualisht vdesin me qindra dhe mijëra veta në perendim për shkak të gripit sezonal, dhe rruga e transmetimit është e njejtë pak a shumë.
Kështu që këto këshilla vlejnë për këdo dhe për çfarëdo lloj sëmundje. Pra një higjienë sa më e mirë, larja sa më e shpeshtë e duarve, jo vetëm kur ne hamë bukë, apo pregatisim ushqimin apo kryejmë nevojat personale, por në vazhdimësi.
Ajo që quhet etika e teshtimës dhe kollës gjithmonë duhet patur kujdes mbulimi, por jo me dorë, po me kartëpeceta. Janë gjëra të vogla por që bëjnë një diferencë të madhe.
Kjo sëmundje ka një vdekshmëri që shkon 2 deri në 4%, aq sa dihet gjithmonë, sepse kur jep përqindje ti duhet të kesh emëruesin dhe numëruesin. Ne akoma nuk e dimë sa % e këtyre personave janë të infektuar dhe nuk e shfaqin sëmundjen.
Periudha mesatare e inkubacionit është shtatë ditë me një vlerë që shkon nga 2 deri në 14 ditë.
Ka qarkulluar dhe një informacion nga pakot që vijnë nga Kina mund të sjellin virusin. Kjo nuk është e vërtetë. Virusi ka aftësi mbijetese disa orë, pra nuk mund të udhëtojë nga Kina”, theksoi Harxhi në A2./CNA.al









