Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Sektorin e Policisë Rrugore dhe Seksionin Operacional në DVP Gjirokastër, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve policore, kanë finalizuar me sukses operacionin policor “ROAD GUARD 14”.
Në afërsi të fshatit Dervician, Gjirokastër, shërbimet e Policisë, pas informacioneve të siguruara në rrugë policore, i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit tip furgon me drejtues shtetasin E. I., i cili nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar, por është larguar me shpejtësi, duke braktisur automjetin.
Pas disa minutash ndjekje, drejtuesi i mjetit, shtetasi E. I., 24 vjeç, banues në Kosovë, është vënë në pranga nga shërbimet e Policisë.
Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur 64 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, të cilët ky shtetas po i transportonte kundrejt fitimit.
Në vijim të operacionit, pas hetimeve paraprake të kryera për këtë rast, është bërë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e 2 bashkëpunëtorëve të tjerë, shtetasve F. M., 34 vjeç, banues në Kosovë dhe E. Z., 27 vjeç, banues në Kukës. Vijon puna për kapjen e tyre.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti dhe një aparat celular dhe 3.400 euro.
Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, e kryer në bashkëpunim dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.









