Nga Edmund S. Phelps
Në vitin 1968, gazetari Hunter S. Thompson mendonte për “vdekjen e kësaj gjëje, që quhet Ëndrra Amerikane”. Po çfarë ishte kjo gjë që quhej Ëndrra Amerikane? Çfarë e bëri atë unike amerikane?
Për disa, Ëndrra ishte besimi i amerikanëve se ekonomia e tyre ishte briri i bollëkut, i mallrave që siguronin sjelljen e një standardi jetese, të paimagjinueshëm në ekonomitë e tjera: ëndrra e një bollëku dhe rehatie të pakrahasueshme. Por, ndërkohë që Amerika kishte një nivel më të lartë të pagave në vitet 1700, Britania gati e zhduku hendekun e pagave me Amerikën deri në vitet 1880 dhe Gjermania iu afrua shumë pranë, diku rreth vitit 1913. Gjermania dhe Franca e kapën Amerikën në vitet 1970.
Për disa ekonomistë, Ëndrra ishte shpresa për një përmirësim të standardit të jetesës: ëndrra e përparimit. Ekonomisti Raj Chetty ka vlerësuar përparimin që njerëzit kanë bërë, në krahasim me atë që kishin prindërit e tyre. Ai zbuloi se në vitin 1940, pothuajse të gjithë të rinjtë amerikanë – 90% e tyre, për të qenë më të saktë – kishin të ardhura familjare më të larta se prindërit e tyre, kur ata kishin qenë të rinj. Kjo përqindje e lartë reflekton në masë të madhe rritjen e shpejtë të produktivitetit të Amerikës, gjë që nxiti ritmet e pagave. Megjithatë, nga viti 1890 deri më 1940, rritja e shpejtë e produktivitetit ishte normale edhe në Britani, Gjermani dhe Francë – ashtu siç ishte në “30 vitet e lavdishme”, nga viti 1945 deri më 1975. Pra, nëse ëndrra ishte përparim, evropianët mund ta kishin ëndërruar progresin, gjithashtu.
Për shumë të tjerë, Ëndrra i referohej shpresës së të privuarve të Amerikës – nxitur nga Eleanor Roosevelt, Martin Luther King, Jr., John Rauls dhe Richard Rorty – se vendi i tyre do t’i jepte fund padrejtësisë së një page që ishte aq e ulët, sa i izolonte ata nga jeta e vendit: ëndrra e përfshirjes. Megjithatë, një ëndërr e tillë nuk mund të ishte unike për të varfërit dhe të margjinalizuarit në Amerikë. Sigurisht që arabët dhe romët në Evropë kanë ëndërruar të integrohen në shoqëri.
Për studiuesit e tjerë, si Richard Reeves dhe Isabel Sauhill, Ëndrra Amerikane ka të bëjë me lëvizshmërinë në përgjithësi. Kjo është një shpresë që e kanë amerikanët, në klasat punëtore dhe ato të mesme, si dhe të varfrit që punojnë, për t’u ngritur një shkallë më lartë në shkallën social-ekonomike, dhe jo një ngritje të vetë shkallës: ëndrra e të ardhurave më të larta, apo një stacioni social më të lartë, në krahasim me mesataren. Në fakt, që nga mesi i shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe fillimi i të njëzetit, ndryshimet strukturore të sjella nga ndryshimet teknologjike dhe demografia në ekonominë e tregut të Amerikës, ngritën shumë pjesëmarrës – ndërsa shumë të tjerë pësuan rënie. Megjithatë, është e dyshimtë që kjo gjë ishte unike për amerikanët. Nga vitet 1880 dhe 1920, gjermanët dhe francezët panë ekonomitë e tyre të transformoheshin prej globalizimit. Britanikët e kishin patur më herët atë përvojë.
Ajo që bëri dallimin e Ëndrrës Amerikane nuk ishte as shpresa për të fituar lotarinë, as të qenit të fuqizuar prej forcave kombëtare të tregut apo politikave publike. Ishte shpresa e arritjes së gjërave, me gjithçka që kjo përfshinte: duke u mbështetur në njohuritë personale, duke i besuar intuitës, duke u endur drejt të panjohurës. Ajo pasqyroi nevojën e thellë të këtyre amerikanëve, që të kishin përjetimin e suksesit në diçka: kënaqësia e mjeshtrit kur sheh veprën e tij që del mirë, ose kënaqësia e tregtarit kur sheh që anija e tij “hyn në port”. Ishte suksesi që kishte rëndësi, jo suksesi relativ. Dhe procesi mund të ketë qenë më shumë i rëndësishëm, sesa suksesi.
Ka dëshmi të bollshme të këtij qëllimi, pasi amerikanët e hodhën në librat dhe dramat e tyre. Mark Tuein, ndonëse një shkrimtar i hidhur për nga humori, e vlerësoi kërkimin e suksesit të personazheve të tij të rinj. Në fund të klasikut të tij të vitit 1885, “Aventurat e Hakëlberri Finit”, Fini synon të “ndriçojë territorin, përpara se ta bëjnë gjithë të tjerët …” Shkrimtarët e Hollyvoodit gjetën fjalë të tjera për këtë. Në filmin “Cezari i vogël” (1931) Rico thotë, “Paraja është ok, por nuk është gjithçka. Ji dikushi … . Ndiq rrugën tënde, ose mos bëj asgjë”. Tek “Ka lindur një yll” (1937), këngëtarja aspirante Esther Blodgett thërret: “Po shkoj dhe kam një jetë të vërtetë! Unë do të jem dikushi!” Dhe në “Vijën e ujit” (1954), Terry Malloy i ankohet vëllait të tij Charley: “Unë mund të isha njeri me klas. Unë mund të isha një kandidat. Unë mund të isha dikushi … “.
Natyrisht, ëndrra e suksesit nuk mund të ishte e përhapur – një fenomen kombëtar – në qoftë se amerikanët që punonin, nuk do të kishin patur një ekonomi, e cila u jepte pjesëmarrësve lirinë për të patur iniciativë: të provonin mënyra të reja dhe të krijonin gjëra të reja. Dhe ëndrra e suksesit nuk mund të bëhej aq e përhapur, nëse amerikanët nuk do të ishin të vetëdijshëm se mund të arrinin suksesin, pavarësisht nga origjina e tyre kombëtare dhe statusi i tyre shoqëror.
Duke parë që sipërmarrja, eksplorimi dhe krijimi mund të ishin angazhuese, madje edhe tërheqëse dhe thellësisht shpërblyese, amerikanët filluan ta shohin punën në biznese qyteti, duke ikur prej zonave rurale, si një rrugë drejt Jetës së Mirë. Dhe shpërblimet e jetës nuk ishin vetëm në para. Të mendosh se paraja ishte fokusi i tyre – madje edhe në ëndrrat e tyre – është të mos kuptosh atë që ishte e veçantë në jetën amerikane.
Nga fillimi i shekullit të nëntëmbëdhjetë deri në mesin e shekullit të njëzetë, amerikanët po vërtetonin mençurinë e filozofëve, nga Montaigne dhe Voltaire, te Hegel dhe Nietzsche: se jeta e mirë është të veprosh në botë dhe të bësh “që kopshti yt të rritet”, jo të mbushësh llogarinë tënde bankare.