Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar paraditen së hënës një seancë të lehtë stërvitore në kompleksin Tropikal. Lojtarët që u aktivizuan në ndeshjen ndaj Anglisë bënë vetëm ushtrime shkrythëse, ndërsa ato që qëndruan në stol një seancë më të plotë.
Pas drekës delegacioni kuqezi u nis për në San Marino, ku të mërkurën do të zhvillojë ndeshjen e tretë për eliminatoret e Botërorit 2022. Kombëtarja ka mbërritur në orët e pasdites në San Marino, ndërsa për ndeshjen e tretë do të ketë disa ndryshime ne organikë. Klaus Gjasula është larguar që sot drejt klubit të tij, pasi është i skualifikuar për shkak kartonësh dhe nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e tretë të Shqipërisë.
Probleme fizike për Florian Kamberin dhe Odise Roshin, me mesfushorin që është në dyshim për sfidën e San Marinos dhe mbetet ende për t’u verifikuar gjendja e tij, kurse sulmuesi do të mungojë pasi nuk rekuperohet për ndeshjen.