Ndeshja mes Luftëtarit dhe Ventspilsit, duket se do të komentohet edhe për shumë kohë, duke qenë se luhatjet e koeficientëve, si para, ashtu edhe gjatë ndeshjes kanë bërë që të hidhen shumë dyshime në lidhje me takimin.
Një ndër drejtuesit e kompanisë ndërkombëtare të basteve “Betsafe”, Valter Rozmanis, ka folur për mediat letoneze duke analizuar luhatjet e koeficientëve dhe treguar disa nga arsyet që çojnë në këto luhatje. Ai shprehet se ato luhatje ndodhin shpesh herë kur ndeshjet janë të paracaktuara por ka raste që luhatjet janë të kota. Këtë të dytën, Rozmanis e hedh poshtë për këtë takim.
“Gjatë pjesës së dytë, ne e hoqëm mundësinë që të luhet ajo ndeshje në baste. Duke qenë se nuk i kam kontrolluar të gjitha, nuk mund të dal në një përfundim të saktë, sidoqoftë, në disa kompani, koeficientët ishin shumë të çuditshëm, që është një nga shenjat dalluese të një ndeshjeje të dyshimtë.
Shembull është “Bet365” që fitoren e Luftëtarit në minutën e 88, e kishte kuotuar me 2.0, megjithëse skuadra po fitonte me rezultatin 3-2 në atë moment. Normalisht, ky koeficient nuk duhet të jetë më i lartë se 1.2. Duke parë se si shënoi Ventspilsi golin e tretë mund të thuhet se kanë ndikuar faktorët e jashtëm, pasi ishin shënuar edhe 5 gola më parë, por sërish kjo gjë nuk duhet ta rrisë aq shumë koeficientin.
Ky është vetëm mendimi im në vlerësimin e fakteve që kam në dispozicion. Raportet e tilla të paqëndrueshme zakonisht tregojnë një ndeshje të dyshimtë. Mund të quhen edhe gabime njerëzore lëvizjet e koeficientëve, por ama kjo gjë verifikohet nga bilanci financiar që ka pasur “Bet365″. Kompania jonë e ka mbajtur këtë ndeshje LIVE deri në fundin e pjesës së parë”, u shpreh Rozmanis.