Shkaku i vdekjes së aktorit amerikan James Ransone është konfirmuar disa ditë pas ndarjes së tij nga jeta në moshën 46-vjeçare. Sipas një certifikate vdekjeje të datës 29 dhjetor, të siguruar nga media PEOPLE më 7 janar, Ransone ka ndërruar jetë si pasojë e vetëvrasjes. Aktori u gjet i pajetë më 19 dhjetor në Los Anxhelos, ndërsa Zyra e Ekzaminuesit Mjekësor të Qarkut të Los Anxhelosit e kishte cilësuar më herët vdekjen si vetëvrasje të dyshuar.
Dy ditë pas vdekjes së tij, bashkëshortja e aktorit, Jamie Ransone, ndau një postim prekës në Instagram, ku i shprehte dashurinë e përjetshme bashkëshortit të saj. “Të kam thënë që të kam dashur një mijë herë dhe e di që do të të dua sërish. Faleminderit për dhuratën më të madhe, ty, Jack-un dhe Violet-in. Ne jemi përgjithmonë,” shkroi ajo, duke iu referuar edhe dy fëmijëve të çiftit.
Pas vdekjes së aktorit, u hap edhe një faqe GoFundMe për të ndihmuar familjen me shpenzimet, ku Ransone u përshkrua si “bashkëshort, baba dhe mik i dashur”, si dhe një prind i jashtëzakonshëm që e kishte familjen në qendër të jetës së tij.
James Ransone lindi më 2 qershor 1979 në Baltimore. Ai ishte më së shumti i njohur për rolin e Ziggy Sobotka në serialin e famshëm The Wire, si dhe për interpretimin e versionit të rritur të Eddie Kaspbrak në It: Chapter Two. Karriera e tij përfshinte edhe filma si The Black Phone, Tangerine, si dhe role në seriale të njohura televizive.
Pas lajmit të vdekjes, shumë kolegë dhe miq nga bota e filmit, përfshirë Channing Tatum dhe Natasha Lyonne, ndanë homazhe dhe mesazhe prekëse në kujtim të tij.









