Kryeministri grek Qiriakos Mistotaqis u nis në një vizitë zyrtare në Shtëpinë e Bardhë me shpresën se presidenti Donald Trump do t’i kërkonte Erdoganit të tërhiqej nga marrëveshja detare me Libinë, e cila e çon sovranitetin detar të Turqisë deri në Kretë. Por kjo nuk ndodhi!
Mitsotaqis kërkoi mbështetje gjatë takimeve në Uashington, duke deklaruar se Turqia është duke shkelur sovranitetin e Greqisë. Por, pavarësisht rritjes së tensioneve diplomatike në Mesdheun Lindor dhe faktit se marrëdhëniet me e SHBA-së me Athinën janë “në pikën më të lartë”, Trump nuk pranoi t’i “tërhiqte veshin” Ankarasë.
Athina u kap në befasi kur Turqia njoftoi se kishte nënshkruar një marrëveshje me Libinë, duke i çuar kufijtë afër Kretës. Qeveria Greke e konsideron kapjen e detit, një lojë për të shtënë në dorë burimet e naftës nën Detin Mesdhe dhe marrë tanimë mbështetjen e BE-së.
“Marrëveshja e nënshkruar midis Turqisë dhe Libisë cenon të drejtat sovrane të Greqisë” tha Mitsotakis të martën, përpara takimit të tij me Trump. “Pra, ne na duhet mbështetja juaj për t’u siguruar që kjo marrëveshje provokuese të mos zbatohet.” Por nëse kryeministri grek priste një denoncim publik nga presidenti amerikan kundër kësaj marrëveshje, ndodhej në vendin e gabuar.
I pyetur nga gazetarët nëse do të kërkonte që Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan të tërhiqej nga masa provokuese, Trump iu shmang pyetjes, duke thënë se në Libi janë përfshirë një sërë aktorësh, jo vetëm Turqia.
“Kur jemi duke folur për Libinë, ne diskutojmë me Presidentin Erdogan dhe shumë vende të tjera . Unë sapo fola me kancelaren Angela Merkel për Libinë dhe do të flasim edhe me Rusinë”, tha ai.
Marrëdhëniet e Trumpit me presidentin turk janë komplekse. Megjithë kërcënimin për të “shkatërruar” ekonominë turke (në një letër drejtuar Erdoganit që udhëheqësi turk tha se hodhi në kosh), Trump më vonë tha se ai ishte një “fans i madh” i Erdoganit.
Një zyrtar i lartë i administratës amerikane dërgoi po ashtu një sinjal se presidenti amerikan nuk do të ndërhynte në përplasjet mes Turqisë dhe Greqisë, duke thënë se të gjitha palët duhet të punojnë së bashku për të zgjidhur dallimet mes tyre.
“Presidenti Trump ka një marrëdhënie të shkëlqyer me Presidentin Erdogan, si dhe me Kryeministrin Mitsotakis dhe kështu ne preferojmë të përqëndrohemi në gjërat që kemi të përbashkëta, në vend që të shohim se ku mund të ketë provokime”, tha zyrtari.
Kryeministri grek bëri pjesën e tij duke ofruar mbështetje të fortë për Uashingtonin për vrasjen e gjeneralit iranian Qassem Soleimani javën e kaluar, por as kjo nuk e bindi Trump të mbante anën e Greqisë.
Deri me tani, ndikimi i përgjithshëm i diplomacisë amerikane në Mesdheun Lindor ka qënë në favor të Greqisë, gjë që duket se e kishte bërë edhe Mitsotaqis të shpresonte se Trump do t’i dilte në mbrojtje Athinës zyrtare. Në dhjetor, Trump nënshkroi një marrëveshje që parashikonte rritjen e bashkëpunimit në fushën e energjisë dhe mbrojtjes midis Shteteve të Bashkuara, Greqisë, Qipros dhe Izraelit.
Ushtria amerikane gjithashtu po rrit praninë e saj në Greqi dhe po zvogëlon praninë e saj në Turqi. Në tetor, gjatë një vizite në Athinë nga Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, SHBA dhe Greqia nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi mbrojtjeje. Por situata e tensionuar në Lindjen e Mesme, duket se nuk i lejon Uashingtonit të humbasë në këto momente një “aleat” si Turqia, ku vazhdon të ketë të vendosur qindra avionë ushtarakë.
“Ndërkohë që situata po përshkallëzohet në Lindjen e Mesme, Turqia po rrit bashkëpunimin me Iranin. Por pavarësisht kësaj nëse dikush priste me të vërtetë një deklaratë publike nga presidenti amerikan kundër Turqisë e kishte gabim”, tha Ministri Grek i Emigracionit George Kumucakos.
Marrëdhënia midis Greqisë dhe Turqisë nuk ka qenë kurrë e lehtë. Vendet fqinje kanë qenë në luftë me njëra-tjetrën disa herë në shekullin e 20 dhe ishin afër konfliktit ushtarak mbi ishullin grek të Imias në vitin 1996, para se Shtetet e Bashkuara të hynin për të shmangur katastrofën. Por që nga ajo, strategjia amerikane ka pësuar ndryshime të njëpasnjëshme dhe Trump duket se “nuk ka oreks” të përfshihet në një krah tjetër konflikti në Mesdhe.
Ndërkohë që Uashingtoni është shumë i zënë me punët e brendshme, Turqia i tregoi edhe njëherë “dhëmbët” Greqisë duke nënshkruar paktin me Libinë, një vendim që alarmoi jo vetëm Athinën zyrtare, por edhe Brukselin.
Vendimi erdhi në një kohë të zymtë ai si për marrëdhëniet për mes dy vendeve, ashtu edhe për atmosferën në rajon, për shkak të ofensivës ushtarake turke në Sirinë Veriore. Por ai tregoi gjithashtu Brukselit dhe Uashingtonit se përshkallëzimi i konfliktit midis Greqisë pasi Turqisë nuk do të ketë pasoja të izoluara.
Greqia dhe Turqia janë përfshirë për dekada me radhë, një luftë e fshehtë ajrore, mbi qiellin e Europës Juglindore, por edhe pse të dyja vendet janë anëtarë të NATO-s, konflikti mes tyre ka qenë prej një kohe të gjatë i nënvlerësuar.
Në Turqi, Erdogan dhe partia e tij po hyn në një retorikë gjithnjë e më agresive ndaj Greqisë dhe kanë marrë bekimin e parlamentit për të çuar trupa në Libi, duke kontrolluar kështu plotësisht një pjesë të Mesdheut.
Konfliktet territoriale mes Greqisë dhe Turqisë
Pavarësisht se janë aleatë në NATO, Greqia dhe Turqia kanë pasur një histori të gjatë konfliktesh. Turqia moderne u krijua vetëm pas një lufte të gjatë me Greqinë dhe kombet e tjera aleate pas Luftës së Parë Botërore. Tensionet u ndezën më tej gjatë krizës së Qipros dhe pothuajse u shpërthyen në një luftë të plotë pasi Turqia pushtoi ishullin në vitin 1974. Në zemër të tensioneve ndodhen në fakt pretendimet territoriale. Greqia dhe Turqia ndahen nga një kufi tokësor në veri, por konfliktet kufitare vijnë për shkak të qindra ishujve në Detin Egje. Të dyja vendet janë përfshirë prej kohësh në debate të egra për sa i përket hapësirave ajrore dhe ujërave territoriale të këtyre ishujve. Madje konfliktet janë bërë aq intensive, se mes dy vendet fqinje kanë qënë duke shkuar drejt luftës në tri raste të veçanta, në vitin 1976, 1987 dhe 1996.
Në vitin 2018 një avion luftarak grek u rrëzua në Detin Egje, pranë ishullit të Skyros. Piloti, i identifikuar si kapiteni Giorgos Baltadoros, 33 vjeç, po kthehej nga një mision ajror, për të dëbuar dy avionë luftarakë turk nga hapësira ajrore greke. Nuk dihet saktësisht se çfarë e shkaktoi rrëzimin e avionit luftarak grek, por “AFP” raportoi se “piloti mund të ketë zhdukur gjatë fluturimit për në bazën greke. Nga ana tjetër, agjencia turke e lajmeve turke “Anadolu” citoi zyrtarët turq tek shpreheshin se në zonë nuk kishte asnjë forcë ajrore turke. Tanimë vdekjet nga përgjimet ajrore mbi Egje janë më se të zakonshme, ashtu si shkeljet e hapësirës ajrore greke nga avionët turq.
Ushtria greke shënoi 1,671 shkelje të hapësirës së saj ajrore nga avionët turq në vitin 2016. Për ta kuptuar sa serioze është situata duhet të themi se avionët e NATO-s kanë ndeshur vetëm 780 herë avionë rusë në hapësirën evropiane, që nga Lufta e Ftohtë. Një vit më vonë, numri i shkeljeve të ushtrisë turke në hapësirën greke, shkoi në 3,317 dhe 920 shkelje janë regjistruar vetëm për vitin 2018. Avionët shpesh herë sfidojnë njëri-tjetrin, fluturojnë egërsisht në qiell për të fluturuar më pas në lartësi të ulëta, duke alarmuar edhe banorët.
Burimet: “New York Times”, “Foreing Policy”, “Bussines Insider”