Rastet e para të konfirmuara me Koronavirus në Shqipëri, bënë që të aktivizoheshin një plan masash nga qeveria, që përfshijnë pezullimin e mësimit në shkolla për një periudhë të caktuar dhe anullimin e të gjithë grumbullimeve masive të njerëzve, si evente apo koncerte, të paktën deri në datën 3 prill.
Një nga koncertet që është planifikuar prej disa kohësh të mbahej në 14 mars në kryeqytet është ai i yllit latin të muzikës, Maluma. Ky i fundit e bëri ndalesën në Tiranë pjesë të turit të tij botëror, megjithatë të rejat e fundit kanë detyruar organizatorët që ta shtyjnë koncertin për një datë tjetër.
Ata njoftojnë se biletat që janë blerë tashmë për koncertin dhe ato që do të blihen këto ditë do të jenë të vlefshme për datën tjetër dhe qartësojnë se nuk do të ketë anullim të eventit, vetëm shtyrje të tij. Për datën e re është duke u punuar me stafin e Maluma-s dhe do të ketë një njoftim të mëvonshëm.