Mimoza Saliaj, nëna e Luisa Saliajt, një prej personave të arrestuar për vrasjen e Drita Saliajt është shprehur që nëse 16-vjeçari ka marrë pjesë në krim të vuajë dënimin. Ajo ka theksuar se Luisi, nipi i burrit të viktimës, e kishte si nënë e tij Drita Saliajn dhe kurrë nuk do ta përdhunonte atë.
“Luisi e kishte nënë Dritën dhe nuk e bënte kurrë këtë që ta përdhunonte, është shumë fjalë e rëndë për Luisin kjo. Djali im, nëse ka bërë diçka, të vuajë dënimim. Përsa i përket përdhunimit, nuk besoj të këtë marrë pjesë, nuk jam dakord, sepse ajo e ka rritur djalin tim. Drita e ka rritur. E ka larë. I ka dhënë bukë. Po e vuaj shumë atë çka ka ndodhur. Drita ishte grua shumë e mire. Kemi shkuar shumë mire. Kam 20 vite në atë fshat dhe e kam njohur mirë. Djali im të vuajë dënimin e merituar. Drejtësia të veprojë dhe të nxjerrë në drite të vërtetën”, është shprehur ajo.
Mediat zbardhën dosjen e plotë të prokurorisë për ngjarjen horror që ndodhi pak ditë më parë në Mallakastër, ku tre të rinjtë, Luis Saliaj, Ervis Zotaj dhe Sindi Shehaj shkuan në shtëpinë e Drita Saliajt, dhunuan, grabitën dhe e mbytën atë në rezervuar. Sipas dosjes së prokurorisë, tre të rinjtë në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë ideuar të gjithë ngjajren dhe më pas kanë shkuar tek shtëpia e 50-vjeçares për të grabitur dhe e kanë vrarë atë. Prokuroria bën me dije se gjithçka është zbuluar pas një denoncimi nga një e afërme e Dritës, e cila kishte shkuar në Komisariat dhe kishte denoncuar zhdukjen e saj. Për këtë ngjarje Gjykata e Fierit ka lënë në burgj Luis Saliajn, Ervis Zotajn dhe Sindi Shehajn.