Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës është konfirmuar pozitiv me koronavirus. Burime të Argjirolajm.net bëjnë me dije se përveç kryebashkiakut Flamur Golemi pozitiv me Covid janë konfirmuar edhe shefi i komisariatit të policisë vendore, Besnik Lila dhe një doganier. Gjendja shëndetësore e Golemit është e qëndrueshme. Për momentin ai qëndron i izoluar në shtëpi duke marrë trajtimin e nevojshëm. Në qarkun e Gjirokastrës numri i përgjithshëm i të infektuarve me Covid ka shkuar në 128 persona. Ndërkohë në vendin tonë vijojnë të jenë të larta shifrat e të infektuarve ditore me koronavirus, ku gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar pozitiv 284 persona duke e çuar në 19,729 numrin e përgjithshëm të të infektuarve mes të cilëve 487 kanë humbur jetën.
Pas raportimit të lajmit se kryebashkiaku i Gjirokastrës është infekruar me Covid 19, ka reaguar vetë Flamur Golemi përmes një mesazhi publikuar në faqen e tij në Facebook
Miq, pas disa simptomave të lehta që më janë shfaqur një ditë më parë, të ngjashme me Covid 19, vendosa të izolohem në banesë, për të mos rrezikuar kolegët në punë dhe persona të tjerë me të cilët do të kisha kontakt. Kam kryer tamponin dhe po pres zyrtarisht nga ISHP-ja përgjigjen nëse jam apo jo i infektuar me koronavirus. Ndërkohë do të vazhdoj të ndjek punët dhe detyrat në distancë nga shtëpia. Jam në gjendje të mirë shëndetësore dhe po pres rikuperimin e plotë për t’iu rikthyer sërish angazhimeve si më parë. Ju falënderoj për qindra mesazhe e telefonata që kam marrë fill pas publikimit të nxituar të lajmit në disa media. Duke u kujdesur për veten dhe familjen tuaj do ta mbani larg Covid 19 dhe së bashku do ta fitojmë luftën me armikun e padukshëm. Ju përshëndes!