Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi është përpjekur të ruajë deri diku tonet me bashkëshortin e saj Ilir Meta, por nuk i ka kursyer sulmet për bashkëpunëtorët e tij, një pjesë e të cilëve ai i kishte në Presidencë dhe që tashmë i ka marrë në parti. Kryemadhi e konsideron artificial problemin që ka shfaqur Meta ditët e fundit, kur flet për tradhtarë dhe çimkaxhinj brenda Partisë së Lirisë.
“Është gënjyer Ilir Meta. Sepse kur mbledh rreth vetes njerëz të cilët mendojnë që janë rrogëtarë, sepse një parti politike nuk mbahet me rrogëtarë dhe servilë sedentarë. Kur njerëzit të cilët e kanë mendjen bosh dhe nuk e mbushin dot kohën me aksion opozitar atëherë do të krijojnë armikun imagjinar.
Serverat e godinës së Partisë së Lirisë janë servera që çdo 1 javë fshihen dhe riformatohen. E dyta, ka luhatje tensioni. Në luhatjet e tensionit mund të ketë një moment kontakti 1 sekondë i cili është fikur dhe është ndezur përsëri. Ky është me thënë të drejtën problem njohurish. Kjo zgjidhet me IT.
Çfarë e ka gjetur Metën? Asgjë nuk kanë gjetur. Është një fantazi e krijuar nga një grup njerëzish të cilët nga rrogëtarë në Presidencë vijnë dhe bëhen rrogëtarë në Partinë e Lirisë. I kanë thënë që jemi përgjuar. Nuk i kanë thënë që është përgjuar Ilir Meta. Personat i kanë thënë Ilir Metës që jemi përgjuar ne. Por nuk është ky problemi i shqiptarëve. Do vijë Prokuroria, do ta shikojë, do i nxjerrë si budallenj ata që i kanë bërë” – tha Kryemadhi në emisionin “Opinion”.