Nga Ilir Yzeiri
Në arkivën time shkrimet e muajit gusht janë të veçanta se të gjitha kanë në qendër një ngjarje që lidhet ose me zjarret ose me çmenduritë tona kolektive që ndizen po ashtu si pyjet në muajin gusht. Edhe këtë radhë, ky muaj na rezervoi të gjithëve një narrativë të veçantë. Fjala « kullë » u zgjerua me një shenjueshmëri tjetër dhe korrupsioni si veti dhe normë e demokracisë dhe tranzicionit shqiptar, gjeti te kjo fjalë shtratin e munguar.
Ne e kemi përdorur keq kuptimin e kësaj fjale sepse në shqip ajo shënon një ndërtim të lartë me dy-tri kate. Kati i dytë apo i tretë ka frëngji të vogla për mbrojtje kurse nga pikëpamja e konotacionit, pra e kuptimit të dytë, kulla është vend ngujimi që shenjon, në një farë kuptimi, burgosjen. Ndërtesa e lartë që do të ndërtohet në Tiranë dhe që është pagëzuar edhe si « Mali i Tiranës » nuk ka lidhje me kullën shqiptare.
Mirëpo përdorimi i saj me këtë kuptim ndoshta vjen nga asosacioni me ndërtimin e lartë që në arkitekturën e ndërtimeve shqiptare në Malësi nuk ishte më shumë se 2-3 kate. Ky udhëtim semiologjik të ndihmon pak që të orientohesh në debatin që ka nisur këto ditë për « Kullën », « mëhallën e Kullës » dhe për dyshimet se pas këtij investimi fshihen interesa korruptive. Ndërsa ajo që ka zbuluar këto ditë kolegu Mero Baze se një nga aksionerët kryesorë të konsorciumit që do të ndërtojë këtë « monstër të bukur » në mes të Tiranës është i lidhur me Shkëlzen Berishën dhe me Foltoren jo vetëm që është pranuar nga djali i Sali Berishës i shpallur « non grata » bashkë me babain, motrën dhe mamanë e tij nga SHBA-të e Britania e Madhe, por është një gjë e ditur.
Ajo që u pranua edhe publikisht sot nga kryeministri ynë është se « non gratat » e shpallura nga SHBA-të dhe Britania e Madhe nuk janë objekt i dhënies së lejës së ndërtimit ngë qeveria. Mund të jetë edhe kështu. Në fakt i takon prokurorisë dhe SPAK-ut e konkretisht Altin Dumanit që të sqarojë opinionin publik nëse dyshimet që janë ngritur këto ditë mbi pastrimin e parave dhe fshehjen e pasurisë nga djali i Sali Berishës janë të vërteta apo jo.
Në pritje të kësaj përgjigjeje që nuk ka ndërmend të vijë kurrë, Kryeministri ynë sot na dërgoi një letër të gjatë dhe përpiqej të bindte opinionin se « Kulla » është vazhdim i projektit të tij për ndryshimin dhe zbukurimin e atdheut, ndërsa balta dhe hunjtë që u ngulën aty nuk e impresionojnë. Letra e tij ishte një tekst i gjatë, pa bukurinë dhe befasinë e teksteve të tjera. E rënduar me figura të stërkonsumuara si balta dhe huri, gjumi dhe flokët me pikë, ai tekst lundronte në një lloj mediokriteti letrar dhe aty ndjehej edhe lodhja estetike e Edi Ramës. Mirëpo ajo që të bënte përshtypje ishte turfullimi i zbehtë ndaj Lulëzim Bashës dhe heshtja e madje edhe droja ndaj Shkëlzen Berishës dhe Foltores.
Nuk ka në atë tekst asnjë rresht që të lërë të nënkuptojë se ai iu kundërvihet apo sqaron edhe akuzat që po bëhen këto ditë se pas Ilir Shtufit qëndron Shkëlzen Berisha dhe Foltorja. Disa kohë më parë shtypi botoi disa skandale që lidheshin me Oligerta Manastrliun kur u zbulua se spitali publik e kishte refuzuar blerjen e pajisjeve që do të bënte ndëryrjet në kokë si ajo që iu bë aktorit Fuga. U botuan disa investigime që zbulonin një realitet të errët në dikasterin që drejton prej dhjetë vjetësh Manastirliu, së cilës për korrupsion i janë arrestuar edhe dy bashkëpunëtore të ngushta, ndërsa tani në fund me arrogancë cakton edhe shefat e reparteve sipas bindjeve të saj e duke mos llogaritur meritokracinë dhe renditjen që kanë bërë më parë komisionet e Universitetit të Mjekësisë.
Në sfond të gjithë kësaj historie është edhe arratisja e ish-zv. Kryeministrit dhe bashkëpunëtorit të ngushtë të kryeministrit, Arben Ahmetajt. Ndaj nëse shihen të gjitha në kompleks, kryeministri ynë, të cilin unë e kam çmuar dhe e çmoj si shtetarin më të suksesshëm të tranzicionit, si qeveritaritn që e transformoi këtë vend si asnjë tjetër, si ai që në arenën ndërkombëtare i dha emrin më të mirë dhe e vendosi në radhën e shteteve që u dëgjohet emri dhe i peshon fjala… tani është i lodhur./TemA