Kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Golemi, është vlerësuar sot si Anëtar Nderi i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi. Çmimi është dhënë nga Komuna e Bujanocit në Luginën e Preshevës. Vetë kryebashkiaku ishte i pranishëm në ceremoninë e organizuar me këtë rast. Gjatë fjalës së tij ai ai tha se sfida jonë e përbashkët për hapësirën shqiptare është të komunikojmë e ndërveprojmë më shumë me njëri-tjetrin. Kështu ruajmë identitetin dhe forcohemi më shumë. Golemi solli në vëmendje gjithashtu edhe faktin që studentë nga Lugina e Preshevës studiojnë në Gjirokastër. Më poshtë pjesë nga fjala e tij.
Çfarë e bën më të veçantë vlerësimin që ju më bëni sot, është se ky nderim vjen në 6 vjetorin e ndarjes nga jeta të Jonuz Musliut, veprimtarit të shquar, kryetarit tuaj për shumë kohë dhe komandantit që luftoi për lirinë e Luginës. Ardhja ime këtu sot në Bujanoc është edhe një homazh për të, për veprën e tij dhe gjithë sakrificën e madhe që ai bëri për shqiptarët e Luginës. Lavdi përjetë Jonuz Musliut! Miqtë e mi, vëllezër e motra të një gjaku. Pavarësisht vështirësive të shumta e pengesave që na kanë ngritur, rezistencën shqiptare për liri dhe identitet nuk e mposht dot askush. Ne do të vazhdojmë të ekzistojmë dhe të përkasim këtu në trojet tona. Sfida që kemi përpara përveç ruajtjes së identitetit është që të komunikojmë e të ndërveprojmë më shumë me njëri-tjetrin. Të forcojmë bashkëpunimin dhe të lidhemi më fortë mes nesh. Ne mund të zhvillohemi e të ecim përpara vetëm duke qenë bashkë me njëri-tjetrin. Fiks ashtu siç e ka thënë Skënderbeu me thuprat. Kur ato janë bashkë nuk i këput dot, kur ndahen janë lehtësisht të thyeshme.