Kevin Dodaj vijon të mbetet një emër i nxehtë në ambientin kuqeblu. Sulmuesi shqiptar mund të jetë pjesë e Vllaznisë në formë huazimi nga CSKA Sofia, me klubin shkodran që synon ta afrojë atë deri në fundin e merkatos së janarit.
Kuqebluve pritet t’u zyrtarizohet shumë shpejt hapja e merkatos, çka do t’i hapë rrugë edhe lëvizjeve konkrete në përforcimin e skuadrës. Në këtë kuadër, ideja e rikthimit të Dodajt nuk është shuar aspak, përkundrazi mbetet aktuale dhe mjaft e dëshiruar nga drejtuesit teknikë. Fakt interesant është se gjatë periudhës së pushimeve, kur ndodhej në Shkodër, sulmuesi zhvilloi disa ditë stërvitje me Vllazninë.
Një veprim që kishte si qëllim ruajtjen e formës sportive, por që njëkohësisht shërbeu edhe për të mbajtur të hapur kontaktet me ambientin kuqeblu. Edhe pse aktualisht ai është rikthyer pranë kryeqytetasve bullgarë të CSKA Sofias, interesi i Vllaznisë për të mbetet i fortë.
Në kampin shkodran, Dodaj konsiderohet një profil i vlefshëm për repartin ofensiv dhe për këtë arsye pritet që të këmbëngulet për shërbimet e tij deri në ditën e fundit të merkatos së janarit. E ardhmja e 20-vjeçarit pritet të sqarohet në javët në vijim, por një gjë është e sigurt: Kevin Dodaj vazhdon të jetë një objektiv real për Vllazninë.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb









