Agjencia Kombëtare e Bregdetit vijon monitorimin e vijës bregdetare nga veriu në jug. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale pamje nga kontrollet në plazhe të stafit të kësaj agjencie, duke theksuar se “duhet të bëjmë turizëm të bukur, por mbi të gjitha të sigurt”.
“Stafi i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, nga Velipoja në Ksamil, ndodhet çdo ditë në monitorim të vijës bregdetare për të kontrolluar respektimin e kontratave me plazhet e menaxhuara jo vetëm në letra, por edhe në terren”, theksoi Kumbaro.
Ministrja Kumbaro bëri të ditur se “kontrollet konsistojnë që nga prezenca e kullave të vrojtimit, vrojtuesve të plazhit me uniformë, kordonët e sigurisë dhe të gjithë elementet që garantojnë një sezon turistik veror sa më të mbarë e të sigurt”.
Trupat inspektuese janë çdo ditë në terren për të garantuar zbatimin e ligjit për pajisje me kulla vrojtimi, ruajtës të certifikuar të shpëtimit të jetës, sinjalistika tokësore dhe ujore të sigurisë, apo kriteret e pastërtisë dhe higjienës.