Nga mbledhja e sotme e qeverisë, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro njoftoi miratimin e propozimit të Ministrisë së Arsimit për shpërndarjen e teksteve falas dhe të reja për klasat e katërta dhe të pesta, duke e shtrirë në gjithë arsimin fillor këtë praktikë.
“Me vendimin e sotëm miratuam financimin nga buxheti i shtetit për klasat e katërta dhe të pesta të arsimit fillor, të teksteve të reja falas. I kishim falas për klasat e para, të dyta dhe të treta, ndërsa me vendimin e sotëm shtuam me vendimin e sotëm dhe me financim të Ministrisë së Arsimit rreth 43 milionë lekë të reja, tekstet falas çdo vit për klasat e katërta dhe të pesta, falas. Bëhet fjalë për rreth 9 mijë nxënës dhe kur flasim për anën financiare, edhe për familjet e tyre që do të përfitojnë tekstet falas, duke mos i pasur barrë në buxhetin e tyre dhe as nuk do t’i marrin të përdorura”, tha Kumbaro.
Gjithashtu, gjatë daljes së saj, ministrja tha se do të veprohet me të njëjtën logjikë çdo tre vite, edhe për klasat e gjashta e të nënta, pasi duke qenë fëmijë më të rritur, mund t’i mirëmbajnë tekstet për një periudhë më të gjatë. Ndërsa për arsimin fillor, tekstet do të jenë çdo vit falas dhe të reja.









