Panorama më e qartë e Himarës dje në të gjithë atë tension politik mes Tiranës e Athinës, e cila kishte sjellë artilerinë e rëndë për të liruar Fredi Belerin, ishte natyrisht pjesëmarrja në miting.
Thuajse ineksistente, çka është realisht dhe politikisht e ngjizur ai artific që si kryebashkiaku i Athinës, ashtu edhe i Selanikut u përpoqën ta shtynin me zor. Siç edhe vetë dy politikanët e lartë grekë janë të sforcuar në narracionin nacionalisto-shovinist në kërkim të helenizmit në një tokë, ku helenët e helenizmi as nuk u afrua, 2500 vjet më parë kur ngritën kolonitë e tyre të njohur në tokat ilire : Dyrrahun dhe Apoloninë.
Gjithsesi në kohën kur historia dhe trashëgimia e antikitetit është kthyer më shumë në një tallava gjithologësh, në këtë rast ja vlen të ndjekësh racionalizmin apo zhvillimet më të fundit.
Tentimi i djalit të Dora Bakojanis, e nip i kryeministrit Micotaqis, Kostasit për të marrë mandatin e dytë në zgjedhjet lokale të tetorit, së bashku me inxhinierin Kostandinos Zevras, i cili deri me 2015 ishte socialist me PASOK e më pas kaloi me Nea Demokratian, duke kërkuar nipat e Sokratit e Aristotelit në Spile, duket më shumë material parodie sesa një qasje politike.
E në këtë skenar parodik, natyrisht kanë kontribuar më shumë thirrja e Ylli Manjanit për shpirtin luan të himariotit-një dibran i zbritur në Lezhë, apo Vangjel Dulen, një minoritar i Dropullit, që e shkërmoqi në mënyrë spektakolare një projekt politik inteligjent si PBDNJ-ja e Vasil Melos, thjesht nga mungesa e një vizioni politik, por kjo i takon një teme tjetër.
Himara, edhe pse ka qenë një objektiv i rëndësishëm i qarqeve dhe politikës greke, edhe pse brenda territorit të saj, ka pasur mjaft libid pragmatik filo Athinë, në thelb Greqia nuk ka arritur asnjëherë të ketë influencën e kësaj krahine të rëndësishëm në simbolin e substraktit kombëtar shqiptar, por edhe në resurset e mëdha ekonomike që vijnë nga turizmi.
Me fjalë të thjeshta, politikisht Athina nuk ka pasur asnjëherë deri në vitin 2007 fuqinë politike në Himarë. Në zgjedhjet e 31 marsit 1991, OMONIA, paraardhësja e PBDNJ-së fitoi 5 deputetë, por asnjë në Himarë. Në asnjë zgjedhje lokale, përkatësisht 1992, 1996, 2000 apo 2003, nuk ka fituar në Himarë partia që përfaqëson minoritetin grek në Shqipëri-PBDNJ. E cila në kohën e Vasil Melos arriti të fitojë deputetë edhe në Korçë, ku fitoi Ligoraq Karamelo.
Edhe pse investimi politik i Athinës në Himarë ka qenë gjithmonë i rëndësishëm, qoftë në ndarjen e pensioneve “homogjene”, apo edhe në krijimin e një mjedisi të viktimizuar për “pronat helenike”, asnjëherë ky mjedis nuk ka qenë mazhorancë në territorin administrativ të ish-kooperativës bujqësore Himarë, e cila në vitin 1992 u bë bashki.
Por edhe pse Himara ishte nga zonat e para që votoi kundër PPSH-së, aty nuk gjeti terren “helenizmi” alla Micotaqis i babait të kryeministrit të sotëm të Greqisë, që ishte kryeministër në vitet 90 të shekullit të shkuar. Në Himarë, Partia Demokratike gjeti një terren fertil të mbështetjes së saj, pasi zona e Himarës kishte qenë mjaft kritike e dizidente ndaj komunizmit, edhe pse shumë eksponentë të saj ishin drejtues e personazhe të njohura në elitën e Tiranës.
Ndërsa PS në Himarë mori pjesën e elektoratit që vinin nga një trashëgimi e familjeve të lidhura me luftën e pushtetin komunist, PD u përkrah nga të persekutuarit dhe disidentët e heshtur të komunizmit në Zonë. Të cilët ishin të shumtë në që nga Palasa në Pilur. Megjithatë, familjet më të njohura që ju afruan PD-së gjatë kohës së rrëzimit të komunizmit vinin nga “Pendëkuqtë” siç thoshte Petro Marko. Pra ata familje që ishin njohur si përkrahës të zjarrtë të aspiratave kombëtare dhe patriotë thekur. Të cilët edhe në komunizëm u Persekutuan si nacionalistë. Kështu, filohelenizmi nuk po gjente terren pjellor në vitet e para të “demokracisë”, ku madje disa nga emrat e njohur të inteligjencës komuniste u shfaqën edhe si “dallëndyshet” e para të megalidhesë micotaqiste.
Edhe pse investimi grek për të krijuar një mjedis të favorshëm politik filohelen në Himarë u rrit në mënyrë eksponenciale, sidomos kur Greqia pati bumin e vet të influencës në Shqipëri gjatë peridhës së Kostas Simitis.
Zgjedhjet e vitit 2000 ishin ndër më simboliket dhe të tensionuarat në Himarë. Kur PS dhe PD ishin në kohën më të rëndë të marrëdhënieve të tyre në rang kombëtar, ata u bënë së bashku në Himarë për të mos lejuar fitoren e Vasil Bollanos, eksponentit të OMONIA-s që ishte njeriu i preferuar i Athinës. PD praktikisht përkrahu kandidatin e PS-së, Viktor Mato, pasi baza e Partisë Demokratike përfaqësonte damarin kombëtarist e patriot të zonës. Edhe pse erdhën shumë votues nga Greqia nuk arritën dot të fitojnë, edhe pse tentuan të përmbysin rezultatin me protesta të forta. Mbahen mend thirrjet në televizione: “Al Kaeda, këtu ka fituar Al Kaeda”. Pas 11 shtatorit 2001, organizata e Bin Ladenit ishte tmerruese për këdo, ndaj instruksionet e Athinës erdhën të qarta për të mbjellë një propagandë, edhe pse shumica e votuesve të Himarës ishin ortodoksë.
Por 3 vjet më pas, Sali Berisha, synonte rikthimin në pushtet, megjithëse kishte një problem të madh me komunitetin ndërkombëtar, lidhi urat me qarqet ekstremiste filogreke, të cilat kishin edhe influencë të rëndësishme në SHBA si lobistë. Nicholas Gage(Nikolaos Gatzoyiannis) një gazetar e shkrimtar i njohur greko-amerikan, në ato kohë ishte një drejtues i silogjeve greke në SHBA. i cili ishte mbrojtësi dhe përkrahësi më i fortë i OMONIA-s dhe “yllit në ngjitje” të saj në Himarë Vasil Bollano. Gage, i shkoi në zyrë Sali Berishës, duke përbërë amerikanin e vetëm VIP që e vizitonte që nga koha kur u largua nga pushteti në vitin 1997. Pikërisht në atë takim u vendos që PD nuk do të vendoste kandidatë por do të përkrahte së bashku me strukturat e saj njeriun e “minoritetit grek” për të cilin thuhet se prejardhjen e ka nga fshatrat e Tepelenës.
Në zgjedhjet e vitit 2003, Bollano mori 1317 vota, kundrejt 882 të Jorgo Goros. Kontributi i PD shikohet qartë thjesht po të vëresh votat e këshillit bashkiak, ku PBDNJ ka marrë vetëm 821 vota. Kjo aleancë vijoi edhe në vitin 2007, ku Sali Berisha atëherë kryeministër e konsideroi Bollanon një kandidat të afërt të tij. Ishte koha e varrezave të ushtarëve grekë dhe vigjilja e marrëveshjes së detit. Në dy mandate Bollano tentoi të bënte një “spastrim territori”, ku gositej kushdo që konsiderohej si patriot shqiptar. Një shembull: Poetit të njohur Lefter Çipa, i cili në shtëpinë e tij mbante një Flamur të lartë kuqezi, Vasil Bollano nuk i “gjente” letrat që vërtetonin vitet e punës për të marrë pensionin që i takonte, ndërkohë që një numër i konsiderueshëm himariotësh merrnin pension nga Athina.
Katër vjet më pas, në vitin 2011, Jorgo Goro i PS-së arriti të mundë Vasil Bollanon, ku sipas të gjitha gjasave për kandidatin socialist votuan mjaft mbështetës të PD-së, pjesë e substraktit kombëtarist të Himarës. Në vitin 2015, hyri në fuqi reforma e re territoriale që rriti sipërfaqen e bashkisë Himarë me disa fshatra të Labërisë. Që rriti edhe numrin e votuesve.
Në zgjedhjet e 14 majit 2023, votat në bashkinë Himarë u ndanë: Dhionisios Alfred Petro Beleri: 3840 vota dhe Jorgo Goro 3821 vota. Vetëm 19 vota më shumë. Sikur 1 mijë nga votuesit e 14 majit të Belerit të ishin dje në shesh, mitingu i Himarës do të quhej i suksesshëm. Po ku ishin votuesit që e braktisën “kryetarin e zgjedhur”? Më 14 maj, Beleri erdhi jo si kandidat i OMONIA-s as i PBDNJ-së, por i koalicionit Bashkimi për Fitore të Sali Berishës dhe Ilir Metës.
Ndërsa në Dropull apo Finiq, kandidatët e të gjitha partive janë minoritarë greke, e natyrisht edhe kryetari do të jetë i tillë, në Himarë, asnjëherë PBDNJ nuk do të fitonte nëse në lojë nuk do të kishte hyrë PD e Sali Berishës. Kjo pasi në Himarë nuk ka pasur asnjëherë një historik të një “popullsie greke” në çdo kontest historik të Greqisë në lidhje me Shqipërinë. Madje asnjë nga paraardhësit e “helenistëve të homogjenizuar” nuk kanë pasur asnjë degë, jo më rrënjë greke. Me fjalë të tjera, këtë armë, apo këtë casus belli të Athinës me Tiranën, ja ka dhënë politika jonë, e përkatësisht Sali Berisha, që me paktin e tij me Gaxojanis në vitin 2003.
TemA