Gjykata Kushtetuese rrëzon ligjin për tatimin mbi profesionet e lira. Kështu, është shfuqizuar tatimi 15 deri në 20 përqind për profesionet e lira.
Ankimuesit kërkuan shfuqizimin e ligjit me argumentin se është diskriminues, rëndon shtresën e mesme dhe nuk është në përputhje me Kushtetutën. Ata parashtruan në seanca rastet se si ka ndikuar ky ligj në mbylljen e qindra bizneseve, ndërkohë që ngritën pretendimet se ai cënon sigurinë e tyre. Ankimuesit kanë deklaruar se tatimi në Shqipëri është në normën më të lartë krahasuar kjo me vendet e Rajonit dhe BE-së, ndërsa i trajton profesionet e lira si biznese tregtare, edhe pse të parat nuk e kanë të garantuar normën e fitimit
Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” u padit fillimisht në Gjykatën Kushtetuese në muajin shkurt nga 38 deputetë të partisë Demokratike. Partia Demokratike iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e ligjit të miratuar me votat e mazhorancës duke vënë theksin në atë se “Tatimi cënon sigurinë juridike”.