Nga Eleana Zhako*
I nderuar bashështetas shqiptar i Top Channelit,
Të shtunën u transmentua në Top Channel një emision për fshatin Derviçan të Dropullit, nga seria “Fshatra në Shqipëri”, me titullin “Derviciani, fshati që refuzon shqipen” nga gazetarja Ilnisa Agolli.
Porsa pashë titullin bombastik në linkun e kanalit në youtube, mendova ububu, kush ishte ky gjëmëmadh apo gjëmëmadhe, që na nxori bojën. Kjo fjalë, më është fiksuar nga leximet e hershme të veprave të Kadaresë, atëherë kur lexoja pothuajse shqip dhe pakëz greqisht.
Në përshkrimin e vendosur në link, i cili brenda pak orëve pati më shumë se 10.000 shikues, thuhet: “Për shkak të minoritetit etnik grek në zonën e Dropullit të qarkut Gjirokastër, ngjall jo pak interes për t’u vizituar fshati më i madh aty. Derviciani! E çuditshme është se aty hasesh me vështirësi të mëdha komunikative edhe pse je në tokë shpiptare.
Banorët njohin të dyja gjuhët, por shqipen e refuzojnë. Megjithatë, aty ka ende kode komunikimi”. Gazetaren në fjalë nuk e njoh, as di nëse, para se të nisej për Dropull, kish marrë udhëzime të qarta, se ku ta fokusonte emisionin. Fjalët kyçe “tokë shqiptare”, “minoritet etnik grek”, “vështirësi të mëdha komunikative”, do të mjaftonin për të joshur me mijëra shikues.
Në ndryshim nga emri zyrtar, derviçanjotët i thonë fshatit të tyre Derviçan, pa i- mes ç-së dhe a-së. Gazetarja i drejtohet një burri të moshuar me pyetjen “Flisni shqip?”. Shoh se kalimtari i parë ishte Mili, i cili për t’iu shmangur kamerës, parapëlqeu të mos bëzante. Ky ishte i dyshuari i parë, agjenti i parë grek.
Më pas kamera ndalet te një tjetër kalimtar, i cili me një shqipe të rrjedhshme, u tregua më kavalier ndaj pyetjeve të gazetares. Gazeterja e fillon komunikimin me: “Tani ju jeni minoritet etnik grek, si është kjo puna”. Kalimtari i përgjigjet, që “si çdo shtet, që ka minoritet”, për t’i lënë të kuptojë, që Shqipëria nuk përbën ndonjë përjashtim. Rënien e një borie dhe trembjen, që shkaktojnë dritat e makinës, kur bien mbi fytyrën e të intervistuarit, gazeterja e interpreton si “refuzim për të folur shqip” ose “frikë për të folur shqip”.
Çdo komunikim me shikuesin e paraprin me “Banorët e Dervicianit nuk lejojnë të flitet shqip”. E tronditur nga ky zbulim ngjethës, gazetarja interviston një sërë plakash pa dhëmbë, të cilat qëllimisht s’kuptonin fjalorin e thjeshtë të gazetares, dhe largoheshin tinëz.
E vendosur për ta kryer misionin deri në fund, arrin të gjejë ish-mësuesin e fshatit, tashmë 85 vjeçar, për t’u marrë vesh me të si shqiptarja me shqiptarin. Ai i flet për historinë e Derviçanit, marrëdhënien me fshatin fqinjë Lazaratin, ku ai kishte punuar si mësues, dhe detaje të tjera rreth dropullitëve. Por, ndoshta mësuesi Masho s’e pa të udhës që të fliste për vitet e tij të burgut në kohën e komunizmit.
Gazetarja, disi e shqetësuar, që s’po ndeshte ndonjë kope bagëtish, për t’i përçuar shikuesit ndjesinë që ndodhet në një fshat të mirëfilltë, ndesh më në fund një fshatar – bariun. Për fatin e mirë a të keq të gazetares, fshatari jo vetëm, që iu përgjigj pa mëdyshje pyetje të saj në shqip, por edhe i dha, që të përkëdhelte qengjin e tij minoritar. I vetmi etyd paqësor dhe i një bukurie të veçantë, ishte vizita në kishën e fshatit, rreth së cilës gazetarja kishte një informacion të admirueshëm nga një shoqërues vendas.
Shpresoja që ndoshta gazetarja do shkonte edhe në shkollën e fshatit, e cila është shkolla më e madhe e zonës së Dropullit, por nxënësve nuk iu desh të kalonin testin linguistik dhe gjenetik të Top Channel-it. Në të njëjtën shkollë dikur ka dhënë mësim edhe Sterjo Spasse, një prej shkrimtarëve më të njohur shqiptarë, që i përkiste pakicës maqedonase të Shqipërisë. Mund të kërkonin të filmonin një orë mësimi në shqip ose greqisht, të intervistonin ndonjë prej mësuesve, por kamera dukej sikur orientohej vetvetiu në pamje gjysmë të errëta dhe mbi fytyra të trembura.
Gjithashtu, në hyrje të fshatit, ngrihet statuja e një prej futbollistëve më të njohur derviçanjotë dhe yjeve të kombëtares shqiptare të atëhershme, Lefter Millos, i cili humbi jetën në një aksident rrugor në Greqi, në vitin 1997.
Nëse Millo do të ishte ende gjallë, pyetjet alla dedektive të gazetares, do ta shndërronin në statujë të heshtur. Për një çast i përfytyrova topkanalistët të drejtohen për te varrezat e fshatit, dhe të shokuar nga zbulimi i emrave dhe mbishkrimeve pothuajse ekskluzivisht në gjuhën greke, të kërkojnë të gjejnë qoftë edhe një emër të vetëm në shqip.
Desha t’i thoja, që shumë vite të shkuara, në Derviçan dhe në fshatin ngjitur, në Goranxi, janë bërë xhirimet e filmit të njohur shqiptar, Vitet e Pritjes.
Si ide alternative, mund t’i propozoja të kërkonte të shkonte në një nga shtëpitë tradicionale, ku u xhiruan skenat e famshme të kumteve kobzeza, ku tre burra nga fshati u dorëzonin familjarëve, lajmin e vdekjes së të afërmit të tyre në emigracion; të kërkonte ish-kafenenë historike afër kishës, ku u xhirua i njëjti film; të fliste me njerëz të administratës lokale, por edhe me njerëz të thjeshtë, për shpërfytyrimin e arkitekturës tradicionale të Derviçanit, dhe nëse po merren gjë masa mbrojtëse; të shkonte në pallatin e kulturës, që ndodhet në qendër të fshatit, në piaca, siç i thonë vendasit, i cili dikur ka shërbyer edhe si kinema dhe vend koncertesh nga ansamble të ndryshme kombëtare; të intervistonte Jorgo Konomin, një nga shoferët e paktë të autokinemasë të asaj kohe në Shqipëri; të shkonte në ambulancën e fshatit, ku mund të fliste shumë lirshëm shqip me personelin mjekësor; të pyeste për lidhjet e banorëve të Derviçanit me Gjirokastrën, që i ndan një distancë prej më pak se shtatë kilometra, dhe që pjesa më e madhe e burrave të fshatit punonte në qytet gjatë kohës së komunizmit; mbi lidhjet me Janinën, që është qyteti më i afërt i Greqisë, dhe që tradicionalisht këto dy qytete kanë qenë qendrat më të afërta urbanistike me krahinën e Dropullit.
Por, në të kundërt, qëllimi i topkanalistëve, nuk ishte rrëfimi i këtij fshati, i zakoneve lokale, i kuzhinës tradicionale, veshjeve dhe gjithfarë kurioziteti tjetër, që lidhet me gazetarinë e udhëtimit, por ekspertiza e vetëdijes së tyre gjuhësore dhe kombëtare në thembër të Shqipërisë.
Emisione të tilla, që zgjedhin në mënyrë kaq të përciptë dhe tinëzare njëkohësisht, të çorientojnë shikuesin, duke u përqendruar në detajin e etnisë së huaj dhe duke i prezantuar banorët e një fshati të caktuar, si bukëshkalë, armiqësorë dhe të bujtur në tokën e shqiponjave, nuk synojnë në njohjen e tjetrit dhe bashkekzistencën e kulturave të ndryshme, por në kultivimin e një race të veçantë: atë të klikuesve militantë.
*Marrë nga Peizazhe.com