Pasi rimori Partinë Demokratike “të vulës”, Lulzim Basha tashmë e ka caktuar edhe një datë se kur do të rikthehet fuqishëm në politikë, për t’u përballur, siç thotë ai, me qeverinë më të korruptuar në Europë.
Kjo do të ndodhë në 2 shtator! Basha e ka bërë deklaratën gjatë një takimi me strukturat e PD-së në Tiranë.
Ai thotë se në 2 shtator, PD do të rikthehet si një forcë moderne dhe me gjithë potencialin e saj për t’u përballur me qeverisjen e Edi Ramës.
“Në Tiranë, me strukturat drejtuese të Qarkut për përgatitjen e Kuvendit Kombëtar të 2 Shtatorit, për ta bërë Partinë Demokratike një forcë moderne dhe bashkëkohore, gati në gjithë potencialin e saj, për t’u përballur me qeverisjen më të korruptuar të Europës”, deklaroi Basha.
Ai tha se PD do të ofrojë mbështetje të pakushtëzuar për SPAK-un.
“Ndaj është i domosdoshëm miratimi i një pakete ligjore kundër krimit dhe korrupsionit qeveritar, duke i hequr çdo pengesë dhe dhënë mbështetje të pakushtëzuar SPAK, si për dënimin e korrupsionit edhe për sekuestrimin e pasurive që vijnë nga këto afera.
Duhet nisur menjëherë me:
Hetimin e mashtrimeve me kontratat dhe fondet publike;
Hetimi pa asnjë përjashtim i kontratave koncesionare;
Hetimi i pasurive të çdokujt që është marrë me hartimin, miratimin dhe përfitimin e kontratave koncesionare, duke përfshirë edhe kryeministrin;
Hetimin dhe kapjen e parave që u janë vjedhur shqiptarëve dhe kanë përfunduar në llogari bankare, apo janë investuar kudo nëpër botë”, përfundoi Basha.