Shpesh në rrugët e Libohovës të ze syri ndonjë vizitor të huaj apo edhe grupe turistësh që vijnë për të parë nga afër këtë qytet. Kjo ndodh sidomos në stinën e verës.
Por ndërkohë orientimi i tyre drejt pikave që mund të vizitojnë në Libohovë, është i vështirë. Mungojnë tabelat që tregojnë vendndodhjen e monumenteve kulturore. Bëhet fjalë për tabelat me ngjyrë kafe. Por s’janë vetëm këto tabela.
Rrjeti i brendshëm rrugor i Libohovës është i paemërtuar.
Nuk është çështja se libohovitët nuk orientohen dot, por ëmërtimet e rrugëve dhe sistemi i adresave i japin një fizionomi më të plotë një qyteti a qyteze. Dhe tjetra, jetësojnë në një farë mënyre emrat e shumë personaliteteve që Libohovës nuk i mungojnë.
Thjesht duhet që propozimet të dërgohen në Këshillin Bashkiak dhe më pas të vendosen fizikisht tabelat në rrugë. Mbetet për t’u parë nëse me rikonceptimin e qendrës do të punohet apo jo edhe në këtë drejtim. /Libohova Online/