Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi sot seanca dëgjimore me grupet e interesit për diskutimin e projektligjeve:”Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar” dhe projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Të pranishëm në komision ishin përfaqësues nga Instituti Shqiptar i Medias, Lidhja e Gazetarëve Shqiptar , Unioni i Gazetarëve Shqiptar, Shoqata e Gazetarëve profesionist, Këshilli Shqiptar i Medias, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Qendra Res Publika, Qendra Shqiptare Mediatike, Birn, Civil Right Defenders si dhe shoqata të shoqërisë civile dhe të Drejtat e Njeriut si Instituti për Studime Gjyqësore Kushtetuese, Shoqata e Grupit Shqiptar të të Drejtave të Njeriut,CRCA, Instituti për Kërkime & Alternativa Zhvillimi Qendra Altri , Soros.
Përfaqësues të 15 organizatave të medias kërkuan në menyrë unanime gjatë seancës dëgjimore sot në komisionin e medias, rrëzimin e ndryshimeve të propozuara nga qeveria në ligjin për mediat.
Përfaqësuesit e këtyre organizatave shprehën qëndrimin e përbashkët se është emdia ajo që kontrollon qeverinë dhe jo qeveria mediat. Qeveria nuk ka asnjë studim a të dhëna që të justifikojnë një ndërhyrje të tillë në media.
Shoqatat e medias, theksojnë se kjo është një përpjekje e pastër për të censuruar me ligj mediat.
Ç’do shqetësim për rastet e shpifjes apo të fakeneës edhe për mediat, janë të rregulluara përmes mekanizmave ligjore, e madje edhe të Kodit Penal. Gjykatat kanë shqyrtuar raste të tilla në të kaluarën.
“Pra dhënia e fuqisë se dy autoriteteve publike si AMA e AKEP për të penalizuar mediat me ligj, është i papranueshëm dhe një akt i pastër censurimi e intimidimi.
Ne mendojmë se vetërregullimi është mekanizmi i duhur që mediat të përmiresojnë veten për misionin e tyre si përfaqesues të zërit të qytetarëve dhe monitorues të punës së qeverisë.”-thuhet ndër të tjera në deklaratë.
Më poshtë deklarata e plotë:
Ne, një grupim prej 15 organizatash të gazetarëve dhe shoqërisë civile, në mënyrë të përsëritur, duke filluar nga Dhjetori i vitit 2018, përmes deklaratave tona publike i kemi kërkuar qeverisë të tërheqë dy projektligjet e prezantuara publikisht si Paketa Antishpifje, duke renditur të gjitha kundërtitë tona.
Gjithashtu, pas dorëzimit të këtyre dy projektligjeve në Kuvendin e Shqipërisë, i bëjmë thirrje Kuvendit që, në rast se qeveria nuk i tërheq këto projektligje, t’i rrëzojë ato menjëherë. Këto dy projektligje cënojnë lirinë e shprehjes dhe të medias në vend, si dhe bien ndesh me parimet ndërkombëtare të parashikuara në nenin 19 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, nenin 19 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, nenin 19 të Konvetës Amerikane për të Drejtat e Njeriut, nenin 10 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, etj.
Organizatat vërejnë se dy projektligjet pjesë e paketës antishpifje i akordojnë AMAs dhe AKEP-it, kompetenca gati gjyqësore, me natyrë sanksionuese ndaj operatorëve mediatikë, ndërkohë që këto organe, edhe pse të pavarura sipas ligjit nuk ofrojnë garanci funksionale për të qenë efektivisht të pavarura, sikurse janë organet e pushtetit gjyqësor.
Shqipëria ka mjaftueshëm ligje që rregullojnë çështjet kur media shkel të drejtat e të tjerëve dhe çdo ndërhyrje tjetër, si dhe në këtë drejtim ka patur disa precedentë të gjykuar në sistemin tonë gjyqësor.
Nevoja për të patur vetërregullim të medias dhe JO rregullim ligjor të saj, merr rëndësi të veçantë në ato shtete me demokraci në tranzicion, sikurse është vendi ynë, ku shpesh mediat janë të lidhura me interesat e njohura të biznesit, të partive politike. Vetërregullimi është kombinim i standarteve që përcakton kodet e duhura të sjelljes për median, të cilat janë të nevojshme për të mbështetur lirinë e shprehjes dhe për të mundësuar që kjo sjellje të monitorohet dhe të mbahet e përgjegjshme. Vetërregullimi ruan pavarësinë e mediave dhe e mbron atë nga ndërhyrjet partizane të qeverisë.
Organizatat i bëjnë thirrje Qeverisë Shqiptare dhe Kuvendit të Shqipërisë të marrin parasysh të gjitha kundërshtitë e përsëritura nga ana e institucioneve ndërkombëtare (të tilla si OSBE, BE, Këshilli i Europës dhe Kombet e Bashkuara), prezenca e të cilave kontribuon në vendin tonë për sundimin e shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut, të shprehen qartë dhe publikisht mbi projektligjet në fjalë, si masa në dhunim të lirisë së shprehjes.
Gjithashtu, kjo thirrje e organizatave lokale është mbështetur gjatë dy ditëve të fundit dhe nga tetë organizatat ndërkombëtare më të rëndësishme në adresimin e çështjeve që lidhen me lirinë e medias dhe të shprehjes, si dhe nga Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve IFJ (me 600 mijë anëtarë nga 140 vende të botës) dhe Federata Europiane e Gazetarëve EFJ ( me 320 mijë anëtarë nga 45 vende)
deklaratën e përbashkët të së cilëve e gjeni bashkëlidhur.
Lista e organizatave firmëtare:
• BIRN Albania
• Civil Rights Defenders
• Citizens Channel
• Faktoje
• Instituti Shqiptar i Medias
• Instituti Shqiptar i Shkencave
• Këshilli Shqiptar i Medias
• Komiteti Shqiptar i Helsinkit
• Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë
• Neë Media Netëork
• Qendra Res Publica
• Qendra Shqiptare MediaLook
• Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
• Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë
• Unioni i Gazetarëve Shqiptarë
Autoritetet shqiptare vijojnë me projektligjet shumë problematike të medias pavarësisht kundërshtimeve publike
Ne, organizatat firmëtare, përsërisim thirrjen tonë për parlamentin e Shqipërisë që të mos miratojë projektligjet e medias të njohura si “paketa antishpifje.” Nëse këto projektligje hyjnë në fuqi, ato do të imponojnë kërkesë për regjistrim me detyrim të medias online dhe të krijojnë një organ administrativ me fuqi për të gjobitur dhe mbyllur mediat online si dhe për të bllokuar mediat e huaja – pa një urdhër gjykate. Projektligjet poashtu do të vendosin rregullim shtetëror për mediat online, gjë që është në kundërshtim me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe parimet e vetë-rregullimit.
Ne vërejmë se propozimet nuk janë në përputhje me praktikat më të mira të vetë-rregullimit dhe mund të kenë ndikim negativ në lirinë e shprehjes në Shqipëri, pikërisht në kohën kur Shqipëria do të marrë Presidencën e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) në Janar 2020.
Parlamenti i Shqipërisë ka nisur ‘konsultime publike’ mbi projektligjet e medias. I pari i këtyre takimeve u zhvillua më 25 nëntor 2019 mes kundërshtive të forta nga bashkësia kombëtare dhe ndërkombëtare e lirisë së medias. ‘Konsultimet publike’ të radhës do të zhvillohen më 11 dhe 12 dhjetor 2019 në Tiranë, Shqipëri. Projektligjet e medias pritet të miratohen nga parlamenti më 19 dhjetor 2019.
Ka shqetësim të gjithëpërhapur mbi këmbënguljen e qeverisë dhe parlamentit për të vijuar me këto projektligje ndërsa ato sinjalizojnë një kthesë për të keq në klimën e lirisë së medias në Shqipëri. Shqipëria ka detyrime dhe detyra të qarta nën Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe OSBE-në, Presidencën e së cilës pritet ta marrë në Janar 2020. Nëse këto projektligje do të miratohen, do të jetë shumë shqetësuese që Shqipëria të marrë këtë rol.
Më 3 korrik 2019, Këshilli i Ministrave të Qeverisë së Shqipërisë miratoi një seri amendamentesh të njohura si “Paketa antishpifje,” të cilat përfshijnë amendamente për ligjin Nr.97/2013 “Mbi Median Audiovizive në Republikën e Shqipërisë” dhe Ligjin Nr. 9918 “Mbi Komunikimet Elektronike në Republikën e Shqipërisë.”
Gjatë misionit tonë avokues në Tiranë të kryer në mes të datës 18 dhe 21 qershorit 2019, Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias (ECPMF), Artikulli 19, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), Federata Europiane e Gazetarëve (EFJ), Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), Reporterë pa Kufi (RSF) dhe Organizata e Medias për Europën Juglindore (SEEMO) paralajmëroi për përkeqësimin e klimës së lirisë së medias në Shqipëri.
Ne ngritëm shqetësimet tona serioze mbi legjislacionin e propozuar gjatë takimit me kryeministrin Edi Rama, duke e nxitur atë që amendamentet të harmonizohen me standardet ndërkombëtare. Në korrik, ne i bëmë thirrje Qeverisë së Shqipërisë të tërheqë këto projektligje dhe i kërkuam parlamentit të mos i miratonte ato.
Ne jemi të zhgënjyer që parlamenti i Shqipërisë ka vijuar me këto projektligje pa trajtuar në tërësi sugjerimet e dhëna nga aktorët vendës dhe institucionet ndërkombëtare. Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias publikoi sot, më 9 dhjetor, analizën e tij të fundit ligjore të projektligjeve, përmes së cilës bën thirrje për përmirësimin e tyre në atë mënyrë që të “sigurohet e drejta e lirisë së shprehjes dhe të evitohet çfarëdo rreziku nga kufizimet apo sanksionet e tepruara ndaj mediave elektronike.”
Ne i bëjmë thirrje parlamentit të Shqipërisë të heqë dorë nga procesi këmbëngulës i aprovimit të këtyre projektligjeve dhe të rifillojë procesin nga e para.
Parlamenti duhet të përdorë mekanizmin e asistencës të disponueshme përmes zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë dhe të Bashkimit Europian në mënyrë që të vijë me ligje që janë në përputhje me standardet më të mira të lirisë së medias.
Firmosur nga:
• European Centre for Press and Media Freedom (ECPMF)
• ARTICLE 19
• European Federation of Journalists (EFJ)
• South East Europe Media Organisation (SEEMO)
• International Press Institute (IPI)
• Reporters Ëithout Borders (RSF)
• Committee to Protect Journalists (CPJ)