Gati spastrimi i administratës publike nga militantët e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Pas prishjes së koalicionit PS-LSI dhe përplasjeve të forta mes dy forcave politike që qeverisën vendin, administrata publike është gati të pastrohet edhe nga të gjithë të punësuarit e LSI.
Pas urdhrit të kryeministrit Edi Rama, të gjithë deputetët janë hedhur në zonat e tyre elektorale ku po identifikojnë militantët e LSI në administratë. Sipas burimeve, inventarizimi i listave të militantëve të LSI në administratë është drejt fundit, ndërsa procesi në Durrës, Korçë, Fier dhe Gjirokastër është përmbyllur.
Aktualisht, deputetët socialistë gjenden në zonat e tyre elektorale deri në përfundim të fazës së plotë të identifikimit të të gjithë punonjësve që janë militantë të LSI, dhe më pas raporti i plotë me emrat përkatës do t’i dorëzohet kryeministrit Edi Rama në muajin shtator, ku dhe do të merret një vendim për shkarkimin e tyre.
Deputetët kanë zbarkuar në drejtoritë e shtetit, ku i kanë kërkuar drejtuesve listën e plotë të emrave të punonjësve dhe më pas kanë nisur verifikimin e punonjësve me çfarë trajnimesh e kanë marrë vendin e punës, me çfarë diplomash, çfarë vlerësimesh kanë marrë gjatë punës në administratë, etj. Gjatë verifikimit të emrave, deputetët socialistë kanë identifikuar se cilët janë punonjësit që kanë bërë fushatë për LSI dhe kanë hyrë në punë jo në bazë të meritës, por në bazë të kontributit që kanë dhënë për këtë forcë politike./pamfleti.com