Nga Roland Bejko
Me listat tërësisht të hapura Lulzim Basha nuk rrëzoi thjesht kapardisjen e Edi Ramës, por shenjoi shkëputjen e Shqipërisë nga kthetrat e tranzicionit 30 vjeçar!
Ne, një pjesë e mirë brenda PD kemi kërkuar që në 2013 në forumet e saj, por edhe në media, zgjedhje me lista të hapura, ose mazhoritar të korrektuar me propocional.
Natyrisht, ka pas qëndrime të ndryshme, hezitime, frikëra, për arsye objektive por edhe për arsye meskine subjektive.
Vet z. Basha e ka përkrahur këtë ide dhe e ka lançuar atë disa herë se do t’ia kërkonte mazhorancës në kohën e duhur gjatë diskutimeve mbi sistemin zgjedhor.
Momenti ishte tani, pasi që në nisje të dialogut me Rilindjen në Këshillin Politik Damian Gjiknuri në emër të Ramës u shpreh se “sistemi zgjedhor nuk mund të ndryshohet pasi do shkatërohet struktura kushtetuese dhe do bëhet një mish-mash që nuk do dimë si ta kapim.” Rama vet u shpreh që në nisje të dialogut se sistemi as që do diskutohet fare. Do ruhet ky që është, pra me lista të mbyllura.
Madie Rama refuzoi atë kohë edhe propozimin e Ambasadores Amerikane për aplikimin e sistemit danez.
Por kur Rama pa sondazhet, u bind se nuk i dilte llogaria për të fituar një mandat të tretë sepse kualicionet i jepnin opozitës që i kish ato, një avantazh të thellë në rezultatin zgjedhor, ndaj sa hap e mbyll sytë, zotëria në fjalë, ndëroi mendje.
Menjëherë pas miratimit të marrëveshjes së 5 Qershorit, Rama u kujtua “të lexonte vullnetin popullor” për të pasur sistem me lista të hapura edhe pse Sekretari Amerikan i Shtetit u investua personalisht duke e përshëndetur miratimin dhe duke kërkuar njëherësh kodifikimin urgjent të saj në parlament.
Në fakt hapja e listave ishte thjesht justifikim për të prishur marrëveshjen dhe kualicionet paraprake të opozitës.
Dhe çfarë sajoi mendia e tij diabolike?!
Sajoi një sistem gjasme me lista të hapura, i pa aplikuar në asnjë vend tjetër demokratik ku 1/3 e kandidatëve do ti emëronte partia, pra kryetarët, dhe 2/3 do ti votonte elektorati me lista të hapura.
Në fakt, çdo parti e madhe, aq deputetë fiton në çdo zonë, 1/3 e deputetëve të totalit.
Kështu që fituesit do vendoseshin me lista të mbyllura nga kryetarët, humbsit do ti zgjithte sovrani.
Pasi pa që ndjeshmëria popullore ndaj sistemit zgjedhor ishte e lartë, filloi sulmin ndaj opozitës duke e akuzuar atë se ishte kundër vullnetit të popoullit, kundër demokracisë.
Me këtë hile, donte tu hidhte hi syve shqiptarëve, të fitonte pikë dhe mbështetje duke u hequr si demokrat dhe progresist i madh, si reformator popullor, e nën këto parime të shkatëronte marrëveshjen e 5 qershorit nga njëra anë, e nga ana tjetër ta nxirte opozitën si frikacake dhe jo demokratike që i trembej votës së popullit, etj broçkulla të tilla. Nën këtë justifikim, pra në emër të një parimi të madh, ti jepte të drejtën vetes të masakronte në mënyrë të njëanshme, pa marrëveshje, kushtetutën.
Por reagimi i menjëhershëm i ndërkombëtarëve dhe i opozitës, e kthyen sërish dialogun në tryezën e Këshillit Politik.
Në këtë kuadër, pra në kuadrin e vazhdimit të dialogut politik në tryezën e këshillit, Kryetari i Opozitës së Bashkuar Lulzim Basha ia dogji kartat në duar me propozimin e tij.
Ai deklaroi se Opozita e Bashkuar i kërkon Këshillit hapjen e plotë të listave dhe rruajtjen e kualicioneve siç është parashikuar në kushtetutën shqiptare.
Në fakt, me këtë kthesë të fortë z. Basha i dogji Ramës “avantazhin” populist prej reformatori dhe demokrati të madh.
Pra, i tha,- je vërtet për hapjen e listave? Hajd ti hapim plotësisht ato!
Me këtë lëvizje Lulzim Basha nuk i fashiti Edi Ramës thjesht një avantazh momental në perceptimin publik, por i rrëzoi njëherësh edhe të ashtuquajturën Reformën e njëanshme Territoriale ku mbi 2/3 e zonave i kishte ndarë jo sipas kërkesave dhe detyrimeve kushtetuese, por sipas kalkulimeve elektorale që i jepnin atij shumicën e bashkive dhe automatikisht dhe shumicën e deputetëve.
Kush merret me shkenca politike, e di mirë që një sistem propocional rajonal me lista të hapura për shumë arsye, natyrisht që kërkon edhe një organizim dhe ndarje të re territoriale.
Për më tepër që në kushtetutë dhe në ligjin 139/2015 “Për Vetqeverisjen Vendore” nuk egziston “Rajoni” si koncept juridik dhe administrativ. Egzistojnë Qarqet si nivel i dytë dhe Bashkitë si nivel i parë i pushtetit vendor.
Kështu që nëse do të pranohet hapja e listave, do të hapet patjetër edhe diskutimi mbi ndarjen e re territoriale, të paktën për zgjedhjet legjislative si fillim, duke themeluar Rajonet të cilat afërmendsh që do të përfshijnë brenda disa Qarqe. Kjo do të jetë domosdoshmëri nëse do duhet që të shbëhet ndikimi i krimit dhe malavitës në rezultatin zgjedhor.
Pra, sot Lulzim Basha dhe opozita e bashkuar me një gurë, siç thuhet rëndom, ka vrarë dy e më shumë zogj; hem kapardisjen boshe të Edi Ramës si partizan i votës së qytetarëve, hem rrëzimin e reformës së gabuar territoriale, të paktën në nivel elektoral.
Kjo në planin politiko-pragmatisto-elektoral.
Ndërsa në planin makro, përsa i përket të ardhmes së qytetarëve shqiptarë, mbështetësve të vet, dhe elektoratit gri, mbështetja e të cilit do bëjë diferencën fituese të zgjedhjeve të ardhshme, Lulzim Basha dëshiron tu japë mundësinë të zgjedhin me votën e tyre deputetin që duan, që kanë besim dhe që mendojnë se do ti përfqaqësojë në Kuvend ashtu siç duhet.
Për ta mbyllur:
Me këtë aktin e fundit, duke propozuar demokratizimin e sistemit elektoral që i jep peshë votës së qytetarëve në dëm të kryetarokracisë, z. Basha dëshmoi para gjithë skeptikëve dhe kritikëve të tij se ai ka ardhur në politikën shqiptare jo thjesht për të qenë zgjatim i politikës së vjetër të tranzicionit të lodhshëm 30 vjeçar, por përkundrazi, ka ardhur në politikë si një lider modern për ti dhënë fund këtij tranzicioni partitokratik sfilitës që ka mbajtur peng zhvillimin e demokracisë, ekonomisë së tregut të lirë, drejtësinë e pavarur dhe mbi të gjitha aspiratën evropiane të shqiptarëve duke e shkëputur njëherësh atë edhe nga thonjtë e mafjes, krimit të organizuar, korrupsionit dhe gjithë malavitës.
Kjo është ajo që shqiptarët kanë pritur nga lideri i opozitës. Një akt të fortë, tronditës: Ndarjen nga e kaluara dhe ndërtimin e një prespektive të re perëndimore për të ardhmen më të mirë të paktën të kësaj gjenerate të re të fëmijve tanë.
Personalisht, mund të them se kjo ishte njëra nga gjërat e mëdha që prisja prej kohësh ta bënte kryetari i opozitës.
Si qytetar i angazhuar politikisht, jam duke pritur dhe realizimin e të paktën dy akteve të tjera po kaq jetike për Republikën, Partinë Demokratike, për demokracinë në vetvete dhe për të ardhmen evropiane të Shqipërisë: (i) Modernizimin dhe demokratizimin e Partisë Demokratike në formë dhe në përmbajtje si një parti perëndimore dhe (ii) Platformën për Ndërtimin e Shtetit të Ri modern shqiptar duke përfshirë gjithashtu edhe dimensionin DIASPORË brenda.
Jam i bindur që edhe këto do të ndodhin së shpejti.
Lulzim Basha nuk ka kohë për të humbur. Ai e di çfarë presin prej tij partnerët strategjikë të Shqipërisë SHBA-të dhe BE, siç e di mirë se çfarë duan prej tij shumica e shqiptarëve për ti besuar votën për të qenë Kryeministri i tyre.
Sfida e tij është t’u dëshmojë shqiptarëve dhe miqëve ndërkombëtarë idetë e tij moderne, që do të vihen në jetë nga një ekip politikanësh dhe profesionistësh me kredibilitet të lartë, pa ngarkesa negative nga e kaluara e afërt dhe e largët.
Kjo do jetë dhe alfa e një kontrate të re politike dhe sociale e tij me votuesin.
Sa më shpejtë të bëhet, aq më mirë për të gjithë.