Bashkëshortja e Rogertit ka reaguar për herë të parë publikisht lidhur me eksperiencën e tij brenda shtëpisë së Big Brother VIP, duke folur në një intervistë për Top Albania Radio. Ajo ka ndarë hapur ndjesitë dhe vështirësitë me të cilat është përballur jashtë shtëpisë, veçanërisht për shkak të komenteve të ashpra në rrjete sociale.
Sipas saj, komentet e tipit “kush është ajo grua që e duron?” kanë pasur një ndikim të fortë emocional. Ajo thekson se, ndërsa Rogerti ndodhet në një lojë televizive, njerëzit jashtë shpesh nuk kursehen aspak në gjykime dhe fjalë të rënda, pa marrë parasysh se pas ekranit ka familje dhe ndjenja reale.
“Komentet e tipit ‘kush është ajo grua që e duron?’ më kanë ndikuar shumë. Rogerti është në një lojë, është në Big Brother, ndërkohë që njerëzit jashtë nuk po kursehen aspak në komentet e tyre.
Ndonjëherë më vjen mirë që Rogerti ka zgjedhur të jetë ky modeli në Big Brother. Të jesh modeli i mirë, mendoj se është shumë më e thjeshtë. Por të jesh ‘i keqi i domosdoshëm’, apo një model ndryshe, është shumë më e vështirë për t’u përqafuar dhe pranuar nga publiku.
E vërteta shpesh është e hidhur, por godet. Unë mendoj se Rogerti ka thënë disa të vërteta aty brenda. Me mënyrën se si i ka thënë, ndoshta nuk jemi gjithmonë dakord, por kjo është pjesë e lojës.”









