Trajneri i Kukësit, Mlladen Milinkoviç, për të disatën herë ka përsëritur se duhet flasë me presidentin Safet Gjici dhe do të mirëpresë vendimin e tij. Ai ka sqaruar po ashtu se kontrata me Kukësin nuk e mbron aspak.
“Nuk e kuptoj dot këtë humbje dhe fusha jonë na është bërë makth, sepse kemi 4 humbje dhe kemi një barazim. Kemi lënë shumë pikë në këtë fushë. Donim ta mbyllim me një fitore këtë vit, por nuk ia arritëm dot qëllimit.
Në radhë të parë, dua të flas me presidentin, pasi ai bën planet e ekipit. Çdo gjë që ai të vendosë, do të jemi dakord. Nuk kemi arritur atje ku duhej të ishim, sipas marrëveshjes që kemi bërë. Nuk jemi në atë nivel.
Është normale që presidenti të shohë si mund të veprojë, Jemi shumë të hapur në këtë çështje. Kur nuk ka rezultate, siç ne nuk kemi rezultate, është normale të ketë bisedime me dikë tjetër.
Nuk më mbron kontrata që kam me Kukësin. Mbi të gjitha, kemi fjalën tonë. E dimë se për çfarë kemi rënë dakord. Nuk më mbron në asnjë moment kontrata”, – tha trajneri i kampionëve në fuqi për “Supersport”