Luftëtari i Mlladen Milinkoviçit është duke udhëtuar në korsinë e duhur, teksa me fitoren e pastër 2-0 ndaj Korabit konfirmohet se jo rastësisht pozicionohet në vendin e katërt pas 21 javëve të luajtura. Gjithsesi, në kampin bluzi, fitoren ndaj Korabit e vlerësojnë si të rëndësishme në përmbushjen e objektivit të fillim sezonit, atë të qëndrimit në Kategorinë Superiore.
Por, kur bëhet fjalë për transfertën ndaj Skënderbeut, në kampin bluzi mendojnë për vijimësinë. Në situatën aktuale që Luftëtari po kalon, do t’i shkonte për shtat shprehja: Çdo e mirë, ka edhe një të keqe. Kjo, pasi skuadra do të vuajë një sërë mungesash për këtë 90-minutësh. Penalizimet e katër titullarëve Bojom, Beqiri, Ramdani dhe Abazaj pas ndëshkimit me kartonë të verdhë dhe të kuq ndaj Korabit, gjithsesi nuk priten të jenë vendimtarë në rezultatin e ndeshjes.
Kjo, sipas deklaratës së trajnerit Milinkoviç. “Unë besoj te forca e grupit dhe te karakteri i lojtarëve”, është shprehur trajneri në përfundim të fitores me Korabin për mediat lokale. “Rikthimi i Aleksit në kondicionin e tij më të mirë, potencialiteti i Donald Rrapos, afrimi i Usamës dhe forma e mirë e Lamçes natyrisht që na i lehtësojnë ‘dhimbjet e kokës’ për këtë transfertë.
Drejt Korçës do të shkojmë për rezultat të mirë, pasi edhe futbollistët që nuk janë aktivizuar si titullarë i kanë të gjitha potencialet e duhura për të përballuar një kundërshtar si Skënderbeu. Luftëtari do të jetë një skuadër e mirë në Korçë, pavarësisht mungesave dhe me objektiv për të marrë sa më shumë pikë. Ende nuk jemi të sigurt sa i takon mbijetesës, ndaj dhe domosdoshmërisht na duhen edhe katër fitore kur kanë mbetur dhe 15 ndeshje për t’u zhvilluar”, u shpreh Milinkoviç.
Risitë
Luftëtari do të startojë sot përgatitjet për sfidën e javës së 22-të. Sot, nën urdhrat e stafit teknik do të jetë edhe mesfushori nga Mozambiku, Usama Mutumane, i cili me të gjitha gjasat do të jetë pjesë e 11-shit anti-Skënderbe. Pritet që pjesë e formacionit në Korçë të jenë edhe Eri Lamçja, Albano Aleksi dhe Donald Rrapo, të cilët kanë marrë pak minuta në tri ndeshjet e para të këtij viti. Ndërkohë, sot i bashkohet ekipit edhe sulmuesi nga Angola, Pedro Bengui./panorama