Luftëtari do të presë sot Flamurtarin në Gjirokastër për të luajtur takimin e vlefshëm për javën e 13-të të Superligës. Kjo sfidë do të startojë në orën 14:00 dhe do të mbyllë këtë xhiro të radhës së kampionatit.
Të dyja skuadrat vijnë nga momente të kundërta për sa u përket rezultateve dhe në pozita jo të njëjta në renditjen e Superligës. Luftëtari renditet në vendin e parafundit, ndërsa Flamurtari gjendet vetëm 2 pikë larg vendit të dytë, çka do të thotë se në rast fitoreje, vlonjatët do të renditeshin pas Skënderbeut. Por, ajo që i bashkon të dy ekipet, si Luftëtarin dhe Flamurtarin është pikërisht problematika e gjykimit.
Të dy klubet janë ankuar për arbitrimin gjatë këtij sezoni, ndërsa në moviolat që janë bërë pas ndeshjeve ku Luftëtari dhe Flamurtari kanë shprehur pakënaqësi është vërtetuar se ankesat e tyre kanë rezultuar të vërteta. Flamurtari është ndëshkuar në disa ndeshje, teksa më flagranti ishte rasti i penalltisë së dhënë në dëm të vlonjatëve, në favor të Vllaznisë, ku sulmuesi shkodran u pengua jashtë zone dhe arbitri akordoi 11-metërsh. Gola të diskutuar në takimet kundër Skënderbeut dhe Teutës dhe disa raste të tjera ku Flamurtari ka ngritur pakënaqësi ndaj gjykimit.
Ndërkohë që Luftëtari shkoi edhe më tej teksa presidenti Tavo deklaroi pas ndeshjes ndaj Teutës se po mendonte tërheqjen e skuadrës nga kampionati. Ndërkohë që nesër, të dyja ekipet “e pakënaqura” nga gjykimi do të përballen mes tyre. Ndoshta me të drejtë, në Gjirokastër dhe Vlorë mund të ngrihet një pyetje hipotetike: “Nga do anojë gjykimi këtë herë?”