Teksa Luftëtari vijon përgatitjet për ndeshjen më të rëndësishme të fazës së katërt, drejtori sportiv i gjirokastritëve dhe njëherazi menaxher i përgjithshëm, Gentian Nora, në një prononcim për “Panorama Sport” sqaron politikat që ka ndjekur klubi që para një viti, si dhe objektivin për përballjen me Flamurtarin.
“Ndeshja me Flamurtarin është pa dyshim më e vështira e kësaj faze të katërt, për vetë objektivat e skuadrave ballafaquese, por objektivi ynë i vetëm është fitorja”, tha fillimisht Nora. Formatimi i Luftëtarit të suksesshëm i këtij kampionati e ka zanafillën që nga sezoni i shkuar, pjesë e të cilit janë futbollistë të ardhur nga shkolla vlonjate. Cilësitë individuale të këtyre lojtarëve dhe paraqitja e tyre me Luftëtarin ka rezultuar shumë pozitive.
Orjad Beqiri, Lejdi Liçaj dhe Dejvi Bregu kanë meritat e tyre në arritjet e deritanishme të Luftëtarit. Ndërkohë, vlonjatët gëzojnë respekt dhe konsideratë nga gjirokastritët, në mes të tyre nuk mungojnë edhe të dyzuarit. Ata shkojnë deri atje kur thonë se këta futbollistë nuk do të japin më të mirën, pasi përballë do të kenë skuadrën e vendlindjes, Flamurtarin. Kësaj pyetjeje Nora iu përgjigj kështu:
“Ashtu si Luftëtari ka vlonjatë, edhe Flamurtari ka në përbërje lojtarë gjirokastritë, por është shumë e cekët të mendosh se një lojtar profesionist nuk do të japë maksimumin vetëm se përballë do të ketë skuadrën e vendlindjes. Në rast se lojtarët mund të tolerojnë në futbollin e sotëm, e bëjnë për arsye të tjera. Raste, të cilat në Kategorinë Superiore janë të rralla në opinionin tim”.
TIFOZËT
Për të qenë sa më shumë motivues dhe në krah të Luftëtarit në momentin më të vështirë (kjo për arsye të arritjes së objektivit), drejtuesit e klubit nuk kanë vonuar për të komunikuar hyrjen falas në stadium.
“Arsyeja e hyrjes falas është motivimi që kërkon skuadra dhe që mund t’i vijë vetëm nga tifozët. Në ndeshjen e fundit që ishim në Vlorë, lojtarin tonë Zguro grupimi i tifozëve ultras e ka ofenduar në kor për 90 minuta. Në çdo vend të botës ka ofendime të kësaj natyre, ato janë momentale, të shkurtra, pasi më pas bëhen të bezdisshme për vetë tifozët.
Në Gjirokastër kjo nuk ndodh kurrë. Në ndeshjen e fundit, Mersini pas humbjes 2-1 të Luftëtarit bëri një deklaratë ironike ndaj klubit tonë, ku mes të tjerave tha: ‘I uroj suksese në jetë Luftëtarit’. Gjirokastra dhe Luftëtari kanë si traditë mikpritjen dhe mendoj se askush nuk e ka mendjen në këto detaje, ku përballë kemi një ndeshje shumë të fortë dhe të luftuar”, përfundoi Nora./panorama sport