Drejtoria Vendore Durrës-Kavajë-Krujë e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës ka depozituar pranë organeve të drejtësisë kallëzim penal për shtetasin Durim Muça, i cili është denoncuar në një emision investigativ televiziv, pasi ai u prezantua si punonjës i këtij institucioni (ASHK), duke kërkuar para në këmbim të të cilave do të pajiste një tjetër shtetas me certifikatën e pronësisë së shtëpisë.
Në njoftimin për shtyp, Kadastra Shqiptare thekson se ka vënë në dispozicion të organeve ligjzbatuese çdo provë materiale të disponueshme, me qëllim mbështetjen e një procesi të plotë dhe transparent hetimor për çdo person të përfshirë në këtë ngjarje.
Paralelisht, Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka nisur një hetim administrativ ndaj punonjësve të identifikuar në pamjet filmike, për të verifikuar çdo veprim apo mosveprim në lidhje me rastin e shtetasit Sh.Tonuzi, që dyshohet se ka rënë pre e mashtrimit të Muçës.
Sipas ASHK-së, ky proces ka për qëllim zbardhjen e plotë të përgjegjësive individuale dhe institucionale.
Në të njëjtën kohë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës po kryen një vlerësim të zbatimit të kontratës së shërbimit të sigurisë me Shoqërinë e Shërbimit Privat të Sigurisë Fizike “Illyrian Guard” sh.a., e cila sipas detyrimeve kontraktuale ka për mision parandalimin e hyrjes së individëve të paautorizuar në ambientet e institucionit, si dhe garantimin e rendit dhe sigurisë.
“Ky proces ka për qëllim marrjen e masave të menjëhershme për pëmirësimin e ofrimit të shërbimit, me synim parandalimin e situatave të ngjashme, ku përfshihen jo vetëm punonjës të institucionit, por edhe qytetarë”, tha ASHK.
Sa i përket pretendimeve të ngritura nga shtetasja Zamira Alija në emisionin investigativ televiziv, ASHK, sqaron se “duke filluar nga dita e hënë, datë 08.09.2025, është ngritur një grup i posaçëm kontrolli, i cili ka nisur verifikimin e thelluar të të gjithë dokumentacionit tekniko-ligjor të administruar në dosje, si dhe hetimin e veprimeve të kryera nga punonjësit e përfshirë lidhur me pasurinë objekt kërkese”.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës shpreh mirënjohjen për punën e gazetarëve investigativë dhe mbështet plotësisht misionin e tyre për rritjen e transparencës, mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe zbardhjen e rasteve që lidhen me abuzime apo shkelje ligjore.
“Mbetemi të vendosur për të bashkëpunuar ngushtësisht me organet ligjzbatuese, duke ndërmarrë çdo masë administrative e institucionale që çon drejt forcimit të integritetit dhe besimit të publikut tek institucionet shtetërore”, tha ASHK.
Në emisionin investigativ televiziv u pasqyruan mbrëmjen e djeshme dy raste. Rasti parë ishte i shtetasit Shaban Tonuzi nga qyteti i Durrësit, i cili kishte probleme me pronësinë e shtëpisë së babait. Rasti tjetër ishte i shtetases Zamira Alija, e cila nuk regjistron dot tokën arë të babait, përfituar me AMTP para dy vjetësh.









