Jasveen Sangha, e njohur si “Mbretëresha e Ketaminës”, është dënuar me 15 vite burg pasi u shpall fajtore për shpërndarjen e drogës që çoi në vdekjen e aktorit të njohur Matthew Perry.
42-vjeçarja pranoi fajësinë në shtator të vitit të kaluar për pesë akuza të rënda, përfshirë shpërndarjen e ketaminës që shkakton vdekje ose dëmtime serioze trupore. Sipas prokurorëve, shtëpia e saj në Hollywoodin Verior funksiononte si një “qendër droge”, nga e cila ajo siguronte të ardhura për një stil jetese luksoz.
Aktori u gjet i pajetë në tetor të vitit 2023 në vaskën me ujë të nxehtë të banesës së tij në Los Angeles. Hetimet konfirmuan se shkaku i vdekjes ishte efekti akut i ketaminës, një anestetik me efekte halucinogjene që përdoret vetëm nën mbikëqyrje mjekësore.
Para shpalljes së dënimit, njerka e aktorit, Debbie Perry, kërkoi dënimin maksimal për Sangha, duke e akuzuar atë për një dëm të pariparueshëm ndaj familjes.
“Ju e shkaktuat këtë. Mund të kishit zgjedhur mënyra të tjera për të fituar para, por zgjodhët një rrugë që dëmton njerëzit”, u shpreh ajo në gjykatë.
Gjatë kontrollit në banesën e të pandehurës, autoritetet federale sekuestruan dhjetëra shishe ketamine dhe mijëra pilula që përfshinin metamfetaminë, kokainë dhe Xanax. Hetuesit deklarojnë se aktiviteti i saj i shpërndarjes së drogës kishte vite që vazhdonte nga rezidenca e saj.









