Kapiteni i madrilenëve nuk aktivizohet më, edhe pse është rikuperuar plotësisht nga problemet fizike Është 34 vjeç dhe mban shiritin e kapitenit te Real Madrid. Kur luan, sigurisht. Është një nga të fundit lojtar-flamur të “merengues”, por nuk zbret në fushë. Dani Carvajal është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi, ndërsa trajneri Alvaro Arbeloa nuk e aktivizon.
Të dielën e kaluar në “Mestalla”, kundër Valencias, trajneri preferoi nga minuta e parë të riun David Jimenez të Real Castilla dhe aktivizoi Alexander-Arnold në minutën e 76-të. Carvajal qëndroi në stol, ai nuk doli as në nxemje dhe pas ndeshjes u pa të fliste me përgatitësin atletik, Antonio Pintus.
Siç ndodh zakonisht në të tilla raste, dyshimet lidhen me skadencën e kontratës. Carvajal ka kontratë deri në qershor dhe ka një moshë në prag pensioni, sipas gjykimit të klubit. Trajneri punon me qëllimin që flamuri “i vjetër” të vendosë ta mbyllë në fund bashkëpunimin pa shumë zhurmë.
Heshtja e Real Madrid në lidhje me rinovimin e kontratës, sipas “Mundo Deportivo”, flet më shumë se mijëra fjalë. Mbeten dyshimet, duke qenë se flitet për një titullar të kombëtares spanjolle, që pas pak muajsh do të luajë në Botëror. Po ashtu, po flasim për një lojtar që me fanellën e Realit, mes shumë trofesh, ka fituar 6 Champions League. Por tashmë është e qartë, lojtarët-flamur të klubeve nuk ekzistojnë më.







